Norvegjia heton lidhjet me Epstein, thirren në parlament 11 ministra dhe ish-ministra

Bota


Parlamenti i Norvegjisë ka nisur seancat dëgjimore për të shqyrtuar lidhjet mes financierit të dënuar për abuzime seksuale Jeffrey Epstein dhe politikanëve e diplomatëve norvegjezë.

Nisma vjen pas publikimit në janar të miliona dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet e Epstein me figura politike, familje mbretërore dhe persona të pasur në vende të ndryshme të botës.

Skandali ka shkaktuar reagime dhe hetime si në Norvegji, ashtu edhe në institucione të tjera. Kryetari i Komitetit të Auditimit dhe Çështjeve Kushtetuese, Jonas Andersen Sayed, tha se qeveria duhet të shpjegojë se çfarë masash po merr për të rikthyer besimin te shërbimi diplomatik.

“Ka shumë njerëz që kanë treguar gjykim të dobët”, deklaroi Sayed, duke iu referuar personave që kishin pasur marrëdhënie miqësore me Epstein.

Komisioni parlamentar ka thirrur për të dëshmuar 11 ministra aktualë dhe ish-ministra të jashtëm dhe të zhvillimit. Mes tyre është edhe kryeministri Jonas Gahr Støre, i cili ka qenë ministër i Jashtëm nga viti 2005 deri në vitin 2012. Støre ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me Epstein.

Në listën e personave që do të dëshmojnë është edhe Berge Brende, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-president e CEO i Forumit Ekonomik Botëror. Brende dha dorëheqjen nga posti pas zbulimeve mbi marrëdhënien e tij me Epstein. Ai ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të së kaluarës kriminale të financierit kur u takuan për herë të parë në vitin 2018 dhe se është penduar që nuk kishte bërë më shumë verifikime mbi të.

Ndërkohë, ish-ministri i Zhvillimit Erik Solheim, i cili pritet të dëshmojë, e ka kritikuar hetimin parlamentar, duke e cilësuar si një reagim të tepruar që mund të ndikojë në mënyrën se si funksionon shërbimi diplomatik.

Disa figura të tjera të njohura norvegjeze që kanë pasur kontakte me Epstein po hetohen nga policia, mes tyre ish-kryeministri Thorbjørn Jagland, ish-ministri Terje Rød-Larsen dhe ish-diplomatja Mona Juul. Të tre kanë mohuar çdo shkelje penale.

Rød-Larsen ka kërkuar më herët falje për marrëdhënien e tij të ngushtë me Epstein, e cila përfshinte edhe një kredi personale nga financieri. Në vitin 2020, ai dha dorëheqjen si president dhe CEO i Institutit Ndërkombëtar për Paqe në Nju Jork.

Edhe Mette-Marit, bashkëshortja e mbretit norvegjez Haakon, ka kërkuar falje për miqësinë e saj me Epstein, por nuk është përfshirë në seancat dëgjimore parlamentare.

Paralelisht, parlamenti ka ngritur një komitet të jashtëm me ekspertë akademikë dhe ligjorë për të shqyrtuar çështjet që kanë dalë nga dokumentet e Epstein dhe për të propozuar masa për forcimin e integritetit dhe transparencës së autoriteteve norvegjeze.

Hetimi pritet të mbulojë më shumë se 30 vite të historisë diplomatike të Norvegjisë dhe të përfundojë me një raport në fillim të vitit 2028.

Sipas informacionit të publikuar, kjo është vetëm hera e nëntë në 140 vite që parlamenti norvegjez krijon një komitet të këtij lloji.

ME TE LEXUARAT