Ngordh Fiona, hipopotami që pushtoi zemrat e botës: Aksidenti brenda kopshtit zoologjik që i mori jetën

Fiona, hipopotami i njohur që fitoi simpatinë e njerëzve nga e gjitha bota, ka ngordhur në Kopshtin Zoologjik të Cincinnatit, në moshën 9-vjeçare. Sipas njoftimit nga kopshti Zoologjik, hipopotami u sëmur pasi gëlltiti një kapelë të thurur që ra aksidentalisht në habitatin e saj.
Sipas njoftimit, Fiona kishte marrë kujdes 24 orë në ditë nga ekipi veterinar dhe stafi i kujdesit të kopshtit zoologjik, duke marrë trajtime të ndryshme, por nuk mbijetoi, raporotn CNN.
"Jemi të shokuar për momentin. Nuk e prisnim këtë rezultat. Ajo luftoi derisa nuk mundi më", tha drejtori i Kopshtit Zoologjik të Cincinnati-t, Dave Jenike, në një njoftim për shtyp të enjten.
Ndërhyrja kirurgjikale nuk kishte qenë një mundësi për kafshën më shumë se 900 kilogramë, sipas Kopshtit Zoologjik të Cincinnati-t, i cili ishte konsultuar me specialistë veterinarë.
“Pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta nxjerrë kapelen nga trupi i saj, në fund të fundit ishte shumë e vështirë për t’u kapërcyer. Ekipi ofroi kujdesin e nevojshëm mbështetës sot në një përpjekje për ta shpëtuar, por nuk pati sukses”, tha kopshti zoologjik .
Kapelja e thurur u hodh në ajër përpara habitatit më shumë se një javë më parë dhe u kap nga një ventilator tavani që e kaloi drejt Fionës. Sipas kopshtit zoologjik, një ekografi tregoi se zorrët e saj ishin të fryra, një shenjë se diçka po kalonte nëpër zorrën e saj të hollë.
Fiona u bë një personazh i famshëm ndërkombëtar kur lindi gjashtë javë para kohe në vitin 2017, me një peshë rekord të ulët prej vetëm 13 kg. Hipopotamët zakonisht lindin afër 45 kg, por Fiona ia doli të mbijetonte kundër të gjitha gjasave.
Aq e vogël sa mezi ecte dhe e paaftë të qëndronte në këmbë mjaftueshëm gjatë për t’u ushqyer me gji nga nëna e saj Bibi, për kafshën e vogël u detyruan disa punonjës të kopshtit zoologjik të kujdeseshin për të, duke formuar një ekip kujdesi që filluan ta quanin “Ekipi Fiona”. Atyre iu bashkuan infermierë nga Spitali i Fëmijëve i Cincinnati-t aty pranë, ekspertë në gjetjen e venave dhe kujdesin për krijesa të vogla.

Ndërsa Fiona shtoi në peshë dhe shëndeti i saj u përmirësua, ekipi i mediave sociale të kopshtit zoologjik filloi të postonte foto dhe video të hipopotamit të vogël në internet për t'i lejuar njerëzit të ndiqnin udhëtimin e saj. Hashtagu #TeamFiona filloi të mbushte mediat sociale me përditësime zyrtare nga kopshti zoologjik dhe kërkesa e urime nga fansat në të gjithë botën.
Përditësimet sporadike u bënë të përditshme ndërsa fansat e Fionës rriteshin. Videot e shpërndara në mediat sociale që tregonin kujdestarët duke i lexuar Fionës disa nga emailet e saj nga fansat ose duke e zënë gjumi në dush u bënë virale.

#TeamFiona u bë një markë e plotë për Kopshtin Zoologjik të Cincinnatit, duke e mbushur dyqanin e tij me mallra shoqëruese, nga magnetë te bluza. Qyteti mbështeti edhe maskotën e tyre të re me katër këmbë, një fabrikë birre lokale krijoi një birrë të veçantë në nder të hipopotamit dhe kompania lokale e veshjeve Cincy Shirts bëri një bluzë të veçantë me Fionën, me të ardhurat që shkuan për kopshtin zoologjik.

Hipopotami tërhoqi mijëra njerëz nga e gjithë bota në kopshtin zoologjik, me udhëtarë nga vende të largëta si Australia, Gjermania, Brazili dhe Japonia që vizitonin Cincinnati-n, Ohio, për të parë këtë hipopotam të adhuruar globalisht.
Në moshën 9-vjeçare, vdekja e Fionës u konsiderua e hershme për një hipopotam të zakonshëm, jetëgjatësia e të cilit zakonisht varion nga rreth 40 deri në 50 vjet, sipas Flacke.


