Ndryshon Kodi i Procedurës Penale/ SPAK s’do t’i hetojë prokurorët e posaçëm dhe gjyqtarët e GJKKO për çdo krim! I kalojnë gjykatave të tjera

Prokurorët e SPAK nuk do të mund të hetojnë më kolegët e tyre apo gjyqtarët e GJKKO për çdo vepër penale, nëse drafti i ri i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale do të miratohet.
Në fund të nenit 75/a të Kodit aktual, që përcakton të gjitha kompetencat e GJKKO-së dhe rrjedhimisht edhe të SPAK-ut, shtohet një paragraf i ri që sanksionon se në Gjykatën e Posaçme mund të gjykohen prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e GJKKO-së vetëm për veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizmin apo bandat e armatosura, korrupsionin në çdo fushë, përfitimin e paligjshëm apo mosdeklarimin e pasurisë, si dhe çdo vepër që lidhet me krimin e organizuar.
“GJKKO nuk është kompetente për të gjykuar akuzat ndaj gjyqtarit të GJKKO-së ose prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, kur ato lidhen me vepra të ndryshme nga ato të parashikuara në shkronjat ‘a’ dhe ‘b’ të këtij neni. Këto raste janë në kompetencë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjejnë zbatim rregullat e këtij Kodi mbi kompetencën tokësore”, thuhet në paragrafin që propozohet të shtohet në Kodin e Procedurës Penale.
Në të gjitha rastet e tjera, gjyqtarët e GJKKO-së dhe prokurorët e SPAK-ut do të hetohen nga prokuroritë e zakonshme dhe do të gjykohen në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.



