Ndërhyrja në QSUT, operohet 2-vjeçarja me anomali që në barkun e nënës, kisti ishte sa fshikëza e urinës

Një vajzë vetëm 2 vjeçe, e cila ishte diagnostikuar me një anomali të lindur që kur ndodhej në barkun e nënës, i është nënshtruar një operacioni në QSUT. Vogëlushja kishte një kist në fshikëzën e urinës, përmasat e të cilit ishin pothuajse sa vetë fshikëza.
Ndërhyrja u krye nga ekipi i Kirurgjisë Infantile në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i drejtuar nga profesor Dritan Alushani, dhe zgjati 3-4 orë.
Duke shpjeguar rastin, Alushani tha se vajza ishte ndjekur nga mjekët që para lindjes, ndërsa problemi në fshikëzën e urinës kishte vazhduar edhe pas ardhjes së saj në jetë.
“Një vajzë e vogël, e cila ka një anomali të lindur që është diagnostikuar para lindjes. U ndoq pas lindjes, vazhdonte me një anomali në fshikëzën e urinës, e cila formon një kist të madh. Problemi në këtë rast ishte sa i madh ishte kisti, ishte pak a shumë sa ishte edhe fshikëza e urinës”, shpjegoi mjeku.
Sipas tij, sfida kryesore gjatë operacionit ishte heqja e anomalisë, pa dëmtuar indet e nevojshme për funksionimin e fshikëzës së urinës në të ardhmen.
“Sfida ishte që duhet të heqësh atë që praktikisht është anomali, duhet të lësh edhe inde të mjaftueshme që nesër, pasnesër të ketë fshikëz urine të përshtatshme, që mund të jetojë për gjithë jetën. Ndërhyrja zgjati 3-4 orë dhe shkoi shumë mirë”, tha Alushani.
Sipas Ministres sw Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, ky wshtw njw tjetwr histori suksesi e Kirurigjisw Infantile nw QSUT dhe një tjetër dëshmi të profesionalizmit dhe përkushtimit të ekipeve mjekësore për kujdesin e specializuar dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve të vegjël.

