Moti i keq “pushton” Italinë, stuhitë përmbytin Romën dhe Napolin, mbyllen edhe shkollat

Moti i keq ka përfshirë disa zona të Italisë, duke shkaktuar reshje të dendura, përmbytje, rrëzime pemësh dhe dëme në banesa e objekte publike. Situata paraqitet më problematike në Toskanë, Lazio dhe Kampania, ndërsa autoritetet kanë marrë masa emergjente dhe kanë mbyllur disa shkolla.
Në zonën e Firences, një tornado ka përmbysur një autokamper në një zonë shërbimi në San Casciano Ovest, në aksin Siena-Firence dhe dy personat që ndodheshin brenda mjetit kanë mbetur të plagosur. Zjarrfikësit ndërhynë pasditen e së enjtes dhe nxorën çiftin nga automjeti, përpara se të dy të dërgoheshin për kontrolle mjekësore.
Toskana është një nga zonat më të prekura nga moti i keq. Për shkak të rrezikut hidrologjik dhe përmbytjeve, autoritetet kanë vendosur masa të posaçme sigurie. Shkollat janë mbyllur në Livorno, Pistoia, Carrara, Grosseto dhe në disa zona të tjera të provincave përkatëse dhe të Lunigianës e Maremës.
Në Lucca është urdhëruar mbyllja e mureve historike të qytetit, ndërsa në Firence janë mbyllur parqet, kopshtet dhe varrezat, me masa të ngjashme që janë marrë edhe në Prato.
Në Viareggio, erërat e forta kanë dëmtuar çatinë e një kopshti fëmijësh, ndërsa janë raportuar dëme edhe në disa banesa.
Po ashtu, reshje shumë të dendura kanë përfshirë gjatë natës Romën dhe zonat përreth. Zjarrfikësit kanë kryer rreth 120 ndërhyrje për pemë dhe degë të rrëzuara, shtylla të rrëzuara të rrjetit telefonik dhe infiltrime uji në banesa.
Probleme janë raportuar edhe përgjatë bregdetit të Romës. Në Passoscuro janë rrëzuar pemë, ndërsa në Ostia, Focene dhe Fregene janë regjistruar përmbytje dhe vështirësi në qarkullim.
Në Aranova është shembur një mur, ndërsa në Civitavecchia erërat e forta kanë rrëzuar pemë dhe shtylla, duke detyruar zjarrfikësit të ndërhyjnë në disa raste për sigurimin e ndërtesave.
Probleme të shumta janë regjistruar edhe në zonën e Napolit. Në Casandrino, në veri të qytetit, zjarrfikësit kanë shpëtuar një drejtues automjeti që kishte mbetur i bllokuar në një nënkalim të përmbytur.
Disa rrugë të qytetit janë mbuluar nga uji, ndërsa situata të vështira janë raportuar edhe në zonën e Giuglianos dhe në Forio d'Ischia, ku është aktivizuar Qendra Operative Komunale për shkak të përmbytjeve dhe pemëve të shkulura nga erërat e forta. Në Torre del Greco dhe në disa bashki të tjera të zonës së Napolit janë vendosur masa për mbylljen e shkollave për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Ndërkohë, gjatë natës një rrufe goditi kupolën e kishës historike San Gaetano, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke çuar në mbylljen e objektit fetar.
Autoritetet italiane kanë dhënë alarme të ndryshme meteorologjike për disa rajone të vendit.
Paralajmërimi portokalli është në fuqi në disa zona të Lazios dhe Kampanias, ndërsa alarmi i verdhë prek pjesë të Piemonte, Lombardisë, Friuli-Venezia Giulia, Lazios dhe Kampanias. Alarmi i verdhë është gjithashtu në fuqi në të gjithë territorin e Toskanës, Markes, Umbrias, Abrucos, Molises, Bazilikatës, Pulias, Kalabrisë dhe Sicilisë.


