“Mos u bëni pjesë e dhunës”, apeli i policisë gjatë protestës së studentëve: Personat me maska po sulmojnë forcave të rendit

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestën studentore në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas policisë, po sulmojnë punonjësit e saj dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
Në një apel drejtuar protestuesve, Policia thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por nënvizon se dhuna ndaj efektivëve, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Policia e Shtetit bën me dije se do të vijojë të jetë në terren për të garantuar sigurinë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe ushtrimin e të drejtës për tubim paqësor.
Autoritetet u kanë kërkuar protestuesve ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës, duke paralajmëruar se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale.
“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, thuhet në apelin e Policisë së Shtetit, e cila shprehet se do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin.


