Mori 7 milionë euro tendera nga bashkia, administrata tatimore kujtohet pas 3 viteve të bllokojë ‘5D’

Administrata Tatimore ka urdhëruar bllokimin e aksioneve të kompanisë “5D”, për shkak të detyrimeve të papaguara, pasi kjo shoqëri përfitoi mbi 7 milionë euro nga tenderat e Bashkisë së Tiranës gjatë viteve 2018–2023. Vendimi i tatimeve vjen 3 vite pas skandalit korruptiv ku ‘5D’ u vendos në qendër të një skandal gjigand financiar, ku ishte përfshirë e gjithë kupola drejtuese e Bashkisë së Tiranës.
Administrata tatimore ka vendosur bllokimin e kompanisë “5D”, më shumë se tre vjet pasi ajo u vendos në qendër të në një skandal gjigand financiar, ku ishte përfshirë e gjithë kupola drejtuese e Bashkisë së Tiranës.
Shoqëria “5D”, e cila ka përfituar miliona euro në tendera fiktivë, rezulton se nuk ka shlyer detyrime tatimore në vlerë rreth 30 mijë euro. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve, në një lëvizje shumë të vonuar, ka urdhëruar Qendrën Kombëtare të Biznesit që të ndalojë tjetërsimin e aksioneve të subjektit tregtar, deri në pagesën e plotë të borxheve.
Kompania “5D” është formalisht në pronësi të shtetasit Nestor Muhametllari. Por, Prokuroria e Posaçme, bazuar në denoncimet e shumta të Partisë Demokratike, konfirmoi se pronarët realë të saj ishin drejtorësh bashkiakë, Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Aktualisht kompania administrohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “5D”, gjatë periudhës 2018-2023 ka përfituar mbi 7 milionë euro në tendera publikë dhe të gjithë janë zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Tenderi me vlerë më të madhe, i fituar nga kompania e drejtorëve të Bashkisë, është ai për rikonstruksionin e qendrës së Kinostudios, me vlerë rreth 6 milionë euro. Për skandalin “5D”, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, u arrestuan drejtorët Qato dhe Molla në mars të vitit 2024. Më tej, ata u liruan nga qelia dhe hetimet vijuan në masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Në Shkurt të vitit 2026, SPAK-u kërkoi dënimin me 11 vjet burgim për Redi Mollën dhe 9 vjet burg për Mariglen Qaton. Dënime më të ulta u kërkuan edhe për disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës, të përfshirë në manipulimin e tenderave në favor të shoqërisë “5D”. Kompania vijon të jetë me status aktiv, megjithëse pas arrestimit të pronarëve të saj realë nuk ka fituar asnjë tender publik.


