Momente tensioni në xhirimet e filmit të Michael B. Jordan! Një 23-vjeçar shfaqet me thikë, arrestohet nga policia

Momente shqetësuese janë regjistruar gjatë xhirimeve të filmit të ri të Michael B. Jordan, “Miami Vice ’85”, në Nju Jork, pasi një 23-vjeçar u shfaq në zonën e xhirimeve duke mbajtur një thikë. Ngjarja shkaktoi alarm, ndërsa policia ndërhyri dhe arrestoi të riun. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Filmi i ri, i cili i përket zhanrit të thrillerit kriminal dhe aksionit, ka gjithashtu në kast aktorin Austin Butler. Premiera në kinema është planifikuar për majin e vitit 2028.
Sipas një zëdhënëseje të Policisë së Nju Jorkut, incidenti ndodhi rreth orës 23:15, pas një konflikti verbal mes një personi që ndodhej pranë zonës së xhirimeve dhe një burri tjetër.
Policia bëri të ditur se 23-vjeçari Alex Perez nxori një thikë, duke shkaktuar frikë për sigurinë fizike të personit tjetër. Oficerët mbërritën në vendngjarje dhe e arrestuan të riun pa rezistencë, ndërsa arma e ftohtë u sekuestrua.
Perez u akuzua për kërcënim dhe posedim të paligjshëm të një arme. Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse Michael B. Jordan ndodhej në sheshxhirim në momentin e incidentit.
Pamjet filmike tregojnë momentin e ndërhyrjes

Sipas pamjeve të publikuara nga TMZ, i riu shihet duke u shoqëruar larg zonës së xhirimeve nga një anëtar i stafit. Në video, një pjesëtar i stafit nxjerr një thikë të madhe kuzhine nga pjesa e përparme e bluzës së të riut, ndërsa pak çaste më vonë një efektiv policie e prangos atë.
Ngjarja ngriti shqetësime për sigurinë në zonën ku po zhvilloheshin xhirimet e filmit, megjithatë autoritetet konfirmuan se nuk pati të lënduar.
“Miami Vice ’85” është një nga projektet e ardhshme të profilit të lartë në të cilat pritet të shfaqen Michael B. Jordan dhe Austin Butler. Filmi synon të rikthejë në ekran atmosferën e botës kriminale të Majamit të viteve ’80.


