“Dy vite burg për armët në tubime”, zv.ministrja e Drejtësisë sqaron ndryshimet në Kodin Penal

Politikë

“Dy vite burg për armët në tubime”, zv.ministrja e

Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e djeshme  një paketë masash ligjore me gjatë pika, për të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe vandalizëm.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Arnold Kariqi, zëvëndësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, sqaroi masat e parashikuara, nga ndëshkimi i dhunës gjatë tubimeve deri te penalizimi i mbajtjes së armëve dhe sendeve të rrezikshme.

Ajo u ndal edhe te mbrojtja e të miturve të shoqëruar në komisariate, duke theksuar se interesi më i lartë i fëmijës duhet të garantohet në çdo rrethanë.

Hoxha shpjegoi gjithashtu se pjesëmarrja në protestë nuk ua heq qytetarëve të drejtat ligjore dhe bëri të ditur se janë vënë në dispozicion avokatë për të ofruar ndihmë juridike falas për të miturit dhe studentët.

INTERVISTA E PLOTË:

Qeveria shpalli ditën e djeshme paketën me masa konkrete që adresojnë problemet e vërejtura në protestë dhe aktet e dhunës. Çfarë synojnë konkretisht ndryshimet e propozuara në Kodin Penal?

Elona Hoxha: Paketa e propozuar nga kryeministri Rama dje synon të forcojë mbrojtjen e rendit publik, të qytetarëve dhe të pronës, duke parashikuar masa të qarta kundër dhunës në tubime, nxitjes së dhunës në rrjetet sociale, kanosjes dhe përndjekjes online, si dhe përdorimit abuziv të inteligjencës artificiale për dëmtimin e individëve. Kjo paketë përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore dhe mbështetet në një parim shumë të rëndësishëm: protesta paqësore mbrohet, mirëpo dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, sikurse e thashë, përfshijnë një sërë masash si: dhuna gjatë tubimeve, ndëshkohet penalisht personi që vazhdon të qëndrojë në tubim pas paralajmërimit të policisë, duke qenë në dijeni se po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona. Dënohet gjithashtu mbajtja e armëve dhe sendeve të rrezikshme, personat që kapen me armë apo sende të tjera të rrezikshme gjatë tubimeve dënohen deri në dy vjet burg. Fshehja e fytyrës gjatë tubimeve, ndërkohë kur ka dhunë ose rrezik konkret për dhunë, dënohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg. Në këto raste përjashtohen rastet për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, si dhe personat që zbulojnë fytyrën pas urdhrit të policisë. Pra janë një sërë ndërhyrjesh në Kodin Penal, të cilat kanë si qëllim të garantojnë një ekuilibër mes mbrojtjes së rendit publik dhe respektimit të të drejtave themelore, duke siguruar kështu që protesta të jetë paqësore dhe patjetër ajo është një e drejtë e patjetërsueshme, por nga ana tjetër edhe çdo formë dhune duhet të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

Cilat janë rezultatet që pritet të sjellin këto masa në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e rendit publik?

Elona Hoxha: Këto ndryshime sikurse e thashë synojnë që të garantojnë këtë ekuilibër midis mbrojtjes së rendit dhe respektimit të të drejtave themelore. Masat që sapo përmenda e që synojnë të jenë pjesë e ndryshimeve ligjore sjellin vetëm respektim të mbrojtjes së rendit publik, të jetës së qytetarëve, të institucioneve dhe të pronës së qytetarëve apo të pronës private.

Ndërkohë, a ka marrë masa Ministria e Drejtësisë, zonja Hoxha, për mbrojtjen e të miturve të përfshirë në protestat e ditëve të fundit dhe në shoqërimet e tyre në komisariate?

Elona Hoxha: Patjetër që mbrojtja e të miturve është e panegociueshme edhe në situata të tensionuara të rendit publik si këto që po kalojmë ditët e fundit. Tashmë ne kemi një kuadër ligjor të posaçëm për këtë çështje, siç është Kodi i Drejtësisë Penale për Të Mitur, një kod i cili mbështetet tek parimi i interesit më të lartë të fëmijës. Dua të sqaroj se nga ana tjetër të miturit në konflikt me ligjin janë edhe kategori përfituese e ndihmës juridike të garantuar nga shteti. Ministria e Drejtësisë e garanton këtë nëpërmjet Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila ka një rol në organizimin dhe administrimin e këtij shërbimi. Mirëpo duhet të kuptojmë që mbrojtja e të miturve nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Mbrojtja e të miturve kërkon bashkërendim ndërmjet disa institucioneve, siç është Ministria e Drejtësisë, ajo e Arsimit, e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, por edhe strukturat e pushtetit vendor. Nga ana tjetër, ne si Ministri Drejtësie, nëpërmjet Qendrës së Parandalimit të Krimit te Të Miturit dhe Të Rinjtë, luajmë një rol të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e veprave penale, por jo vetëm te të rinjtë, por ne informojmë dhe ndërgjegjësojmë edhe stafet pedagogjike, edhe grupet e prindërve, por edhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve në njësitë e pushtetit vendor, pra nëpër bashki. Aktualisht kemi të hartuar një plan të përbashkët pune me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim që të informojmë të gjitha grupet e interesit për përgjegjësinë dhe mbrojtjen e fëmijëve. Duhet të kuptojmë që e drejta për të protestuar është legjitime, por në asnjë mënyrë përdorimi i fëmijëve për arsye që nuk lidhen me protestën apo me format paqësore të protestës nuk duhet të lejohet. Fëmijët dhe të miturit e kanë vendin në shkollë, ndaj ata nuk duhet të ekspozohen ndaj përplasjeve të dhunës apo të përdoren si instrumente të konfliktit politik, dhe i takon familjes, shkollës dhe institucioneve që të punojnë dhe të sigurojnë mirëqenien dhe mbrojtjen e tyre.

Në disa raste, ekspertë të fushës kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e këtyre masave. Zonja Hoxha, cili është qëndrimi juaj?

Elona Hoxha: Pa diskutim, Ministria e Drejtësisë nuk merr përsipër dhe nuk ka në fushë të përgjegjësisë së saj të analizojë vendimet e sistemit të drejtësisë; i përket prokurorisë, i përket gjykatës për të folur mbi bazën e vendimeve dhe provave që ata kanë lidhur me ligjshmërinë apo jo të vendimeve të tyre. Ne si Ministri Drejtësie duhet të sigurojmë një drejtësi të aksesueshme për çdo qytetar, pavarësisht se ndodh në rast tubimi apo pavarësisht bindjeve, dhe këtë e bëjmë në çdo moment nëpërmjet ndihmës juridike falas. Pjesëmarrja në protestë nuk u heq qytetarëve të drejtat ligjore. Çdo person duhet të informohet për të drejtat e tij dhe të ketë mundësi të përfitojë nga mbrojtja ligjore që parashikon ligji. Nga ana tjetër, kemi vendosur në dispozicion të komisariateve të policisë dhe të gjykatës një listë me të gjithë avokatët e angazhuar për të ofruar mbështetje ligjore për të miturit dhe studentët, dhe madje çdo qytetar mund të aksesojë nëpërmjet telefonit falas 08001010 në rast se ata nuk kanë mundësi financiare dhe dëshirojnë të marrin këshillim ligjor falas.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion