Mjekësia, IT dhe biznesi në krye të preferencave, si po ndryshojnë zgjedhjet e studentëve

Aktualitet

Mjekësia, IT dhe biznesi në krye të preferencave, si po
Viti akademik 2026–2027 nis me një orientim gjithnjë e më të dukshëm të studentëve drejt programeve që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës. Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” regjistron këtë vit rreth 1,300 studentë, ndërsa Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit rreth 1,800 studentë të rinj, duke shënuar një rritje të regjistrimeve krahasuar me një vit më parë.

Në Elbasan, sipas universitetit, numri i regjistrimeve mbetet i qëndrueshëm në raport me vitin e kaluar. Interesi më i madh është përqendruar te Shkencat Mjekësore, Sportet, Ekonomia dhe Teknologjia e Informacionit.

Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara janë Infermieri e Përgjithshme, Edukim Fizik dhe Sporte, Financë-Kontabilitet, Teknologjitë e Informacionit dhe Informatikë Ekonomike. Në programet profesionale, më të kërkuarat janë Teknik Mjedisi, Teknologji Laboratori, Sekretar i Specializuar, Edukator 0–3 vjeç dhe Mekatronikë.

Ndërkohë, programet e mësuesisë vijojnë të kenë interes të qëndrueshëm, edhe pse regjistrimet janë më të ulëta krahasuar me degët që aktualisht konsiderohen më të kërkuara. Universiteti njofton se të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të jenë të hapura edhe këtë vit akademik.

Për studentët e programeve prioritare ofrohen edhe bursa të financuara nga qeveria shqiptare, me synimin për të mbështetur përfshirjen në arsimin e lartë.

Universiteti i Elbasanit ofron programe në pesë fakultete, në nivelet Bachelor, Master, profesional dhe doktoraturë. Oferta përfshin edhe Programin e Integruar të Studimit në Drejtësi dhe programe në gjuhën angleze.

Një nga prioritetet e këtij viti është lidhja më e fortë mes universitetit dhe tregut të punës. Në këtë kuadër është prezantuar “Pakti UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, i cili synon të krijojë më shumë ura bashkëpunimi mes universitetit, institucioneve publike, sektorit privat dhe studentëve.

Pakti parashikon zgjerimin e mundësive për praktika profesionale dhe përvojë konkrete pune, duke synuar një kalim më të lehtë të studentëve nga auditorët drejt profesionit.

Durrësi rrit regjistrimet, 1,800 studentë të rinj
Edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit e nis vitin akademik me rritje të regjistrimeve. Rreth 1,800 studentë të rinj i bashkohen këtë vit universitetit, rreth 100 më shumë se një vit më parë. Në total, UAMD numëron rreth 17,500 studentë në të gjitha ciklet e studimit.

Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet janë ndër programet më të kërkuara, si në programet në gjuhën shqipe, ashtu edhe në ato të përbashkëta me Institutin Politeknik të Bragançës në Portugali.

Oferta akademike e universitetit përfshin pesë fakultete dhe fusha të ndryshme, nga shkencat mjekësore teknike dhe teknologjia, te biznesi, turizmi, edukimi, drejtësia dhe shkencat sociale.

Sipas universitetit, orientimi i studentëve po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt programeve që ofrojnë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe mundësi për zhvillim profesional.

Dimensioni ndërkombëtar është gjithashtu një nga drejtimet e këtij viti. Rreth 67 studentë të huaj janë regjistruar ose janë në proces regjistrimi, ndërsa numri i programeve me diploma të dyfishta me universitete partnere në Evropë pritet të kalojë 20.

Një nga programet e reja është programi profesional dy-vjeçar “Guidë Turistike”, i cili synon të lidhë formimin universitar me njohjen profesionale dhe licencimin e guidave turistike.

Por krahas rritjes së numrit të studentëve dhe zgjerimit të ofertës akademike, mbeten edhe problematika që lidhen me jetën e përditshme universitare.

Godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Durrës sjell 26 auditorë, 21 laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive dhe hapësira të reja për studentët. Megjithatë, akomodimi mbetet një prej shqetësimeve, veçanërisht për studentët që vijnë nga qytete të tjera.

Në fokus është edhe transporti. Dhjetëra studentë udhëtojnë çdo ditë nga Tirana drejt kampusit në Spitallë dhe universiteti synon krijimin e një linje direkte Tiranë–UAMD.

Kështu, dy universitetet publike të Elbasanit dhe Durrësit e nisin vitin akademik me oferta që synojnë t’i përgjigjen më shumë kërkesave të tregut të punës, ndërsa sfida mbetet që kjo rritje të shoqërohet edhe me përmirësimin e përvojës së studentëve jashtë auditorit.

ME TE LEXUARAT