Media greke i kushton vëmendje protestës në Tiranë: Mijëra shqiptarë në rrugë, përplasje me policinë

Bota

Media greke i kushton vëmendje protestës në Tiranë:
Përplasjet mes policisë dhe protestuesve shpërthyen të shtunën në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në protestën e fundit të një serie të gjatë tubimesh kundër qeverisë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të zmbrapsur protestuesit, të cilët hodhën gurë dhe përdorën shkopinj druri në përpjekje për të thyer kamerat e sigurisë në rrugë dhe xhamat e ndërtesave qeveritare.

Në tubim morën pjesë shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe nga jashtë Shqipërisë. Protesta u zhvillua në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një ditë që zakonisht shënohet me festime kombëtare dhe është pushim zyrtar. Ndërkohë, policia ishte vendosur përgjatë rrugëve kryesore që lidhin kryeqytetin me pjesën tjetër të vendit, duke kryer kontrolle të automjeteve.

Një prej protestuesve ishte edhe Arian Lleshi, 33 vjeç, i cili kishte udhëtuar nga Mbretëria e Bashkuar posaçërisht për protestën. Ai deklaroi se shqiptarët kanë vuajtur për një kohë të gjatë dhe se, të shpërndarë në Europë dhe në botë, ndihen si qytetarë pa shtet.

Protestat nisën në fund të majit, fillimisht të nxitura nga kundërshtimi ndaj një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, të lidhur me një kompani investimi të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Lëvizja u njoh si “Flamingo”, ndërsa në shtator iu bashkuan edhe protestat studentore, ku kërkohej përmirësimi i arsimit dhe i kushteve të jetesës. Me kalimin e kohës, kërkesat e protestuesve u zgjeruan duke përfshirë edhe dorëheqjen e Ramës.

Në Sheshin Skënderbej, protestuesit brohoritën “Dorëheqje!”. Studentja Juna Vasili deklaroi se qytetarët kanë dalë për të kërkuar të drejtat e tyre, pasi jeta është bërë shumë e vështirë dhe kërkohet ndryshimi i të gjithë sistemit.

Edhe pensionistja Suzana Gjeta tha se protestonte në emër të të rinjve dhe të pensionistëve që jetojnë me të ardhura të pamjaftueshme. “Jetojmë vetëm me 120 euro në muaj. Shpresojmë që ky sistem të largohet, që Edi Rama të ikë dhe korrupsioni të marrë fund”, u shpreh ajo.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion