“Më tha që quhej Berti”, Uljan Shpatarakut: Nuk e dija që ishte Ergys Agasi, e mora në rrugë se më bëri shenjë

Zbardhet dëshmia e Uljan Shpatarakut e dhënë para hetuesve. Shpataraku, ish-asistent i Drejtorit të Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit, u arrestua së bashku me Ergys Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim në lidhje me hetimet për AKSHI-n.
Në deklarimet e tij, Shpataraku mohon se e ka ditur identitetin e personit që ka marrë në makinë, duke këmbëngulur se e ka marrë si udhëtar pasi ky i fundit i ka bërë shenjë në rrugë. Sipas versionit të tij, ai kishte udhëtuar drejt Elbasanit për të takuar dy miq dhe, gjatë kthimit, kishte marrë në makinë një person me mjekër, kapele, pantallona të shkurtra dhe shapka.
“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka”, është shprehur Shpataraku gjatë marrjes në pyetje.
Ai ka deklaruar se në momentin kur personi është futur në automjet nuk e dinte se bëhej fjalë për Ergys Agasin. Sipas tij, gjatë rrugës, personi i është prezantuar me emrin “Berti” dhe i ka thënë se merrej me dyer alumini.
Shpataraku ka shpjeguar gjithashtu se automjetin Audi A6 e kishte marrë nga një shok i tij, të cilin e identifikon me emrin Tomi ose Toni, pasi makina e tij kishte probleme dhe nxehej herë pas here. Ai ka deklaruar se e kishte marrë automjetin në zonën e Kënetës në Durrës dhe më pas ishte nisur drejt Elbasanit.
Sipas dëshmisë së tij, në Elbasan ka qëndruar rreth dy orë dhe ka takuar dy miq, me të cilët ka pirë kafe. Ai ka përmendur edhe një lokal të quajtur “Renato”, pranë hyrjes së Elbasanit.
Shpataraku ka mohuar gjithashtu të ketë shoqëruar Agasin në tregun e Elbasanit apo në Shkozet dhe ka kundërshtuar itinerarin e pasqyruar në raportin e vëzhgimit policor.
Çfarë thotë gjykata
Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Parë ka vënë në dukje mospërputhje mes shpjegimeve të Shpatarakut dhe të dhënave të vëzhgimit policor.
Sipas gjykatës, automjeti me të cilin Shpataraku deklaron se është nisur drejt Elbasanit është konstatuar fillimisht në kompleksin ku ishte lokalizuar Ergys Agasi. Pas daljes së Agasit nga kompleksi, automjeti është konstatuar me një person në sediljen e pasagjerit, i cili më pas është identifikuar si Agasi.
Gjykata ka vlerësuar se kjo rrethanë nuk përputhet me versionin e Shpatarakut, sipas të cilit ai e kishte marrë rastësisht Agasin gjatë rrugës, pasi ky i fundit i kishte bërë shenjë.
Megjithatë, gjykata ka evidentuar edhe një boshllëk në vëzhgimin policor. Sipas vendimit, vëzhgimi është ndërprerë në orën 13:35 dhe ka rifilluar në orën 18:16, duke lënë pa të dhëna rreth pesë orë të lëvizjeve të automjetit dhe personave që ndodheshin në të.
Për këtë arsye, gjykata ka kërkuar që hetimet të vijojnë për të sqaruar lëvizjet e automjetit gjatë këtij intervali, përfshirë marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, verifikimin e lokacionit të personave përmes të dhënave të telefonave dhe marrjen në pyetje të personave që Shpataraku deklaron se ka takuar në Elbasan.
Pronari i Audi-t: “Ia dhashë për ta provuar”
Në dosje është administruar edhe dëshmia e Kadri Guzës, pronarit të automjetit Audi AB 323 JK. Ai ka deklaruar se automjeti ishte nxjerrë në shitje dhe se më 24 gusht 2026 një person ishte interesuar për ta blerë.
Sipas Guzës, automjeti iu dha këtij personi për ta provuar, me qëllim që më pas të kryhej kontrolli në servis, procedurat noteriale dhe pagesa prej 15 mijë eurosh.
Pronari ka deklaruar se më vonë kishte parë në lajme se personi ishte arrestuar dhe se automjeti i tij ishte sekuestruar nga policia. Ai ka pohuar se nuk njihte as Shpatarakun dhe as Agasin.
Në përfundim të vlerësimit të të dhënave të administruara deri në këtë fazë, gjykata ka arsyetuar se ekziston dyshim i arsyeshëm se Shpataraku ka kryer transportimin e Ergys Agasit, person i shpallur në kërkim.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, në bazë të rrethanave të administruara deri tani, ekziston dyshimi se transportimi mund të mos ketë qenë rastësor, por i orientuar drejt favorizimit të Agasit për t’iu shmangur kapjes ose arrestimit.


