Mbi 2,800 armë dhe 152 të arrestuar, Interpol godet rrjetet kriminale në 17 vende

Një aksion i gjerë ndërkombëtar kundër tregtimit të paligjshëm të armëve ka përfunduar me mijëra armatime të sekuestruara dhe mbi 150 persona të arrestuar. Operacioni përfshiu 17 shtete të Europës dhe Azisë Qendrore, ndërsa hetimet nxorën në pah ndërthurjen e këtij aktiviteti me rrjetet e krimit të organizuar dhe kontrabandën.
Operacioni, i koduar “Trigger X”, u zhvillua nga 22 qershori deri më 5 korrik, nën koordinimin e Interpolit. Gjatë kontrolleve, autoritetet zbuluan 2,823 armë të vogla dhe të lehta, rreth 400 granata e mjete shpërthyese, si dhe mbi 40 mijë fishekë.
Në total, 152 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale, mes tyre trafikim dhe mbajtje të paligjshme armësh, trafik droge, kontrabandë emigrantësh dhe grabitje. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe 15 persona të kërkuar ndërkombëtarisht nga Interpoli, përfshirë pesë të shpallur në kërkim me njoftim të kuq.
Armë të transportuara me kamionë dhe granata të trafikuara nga Bosnja
Kontrollet zbuluan raste të ndryshme të transportimit dhe përpunimit të paligjshëm të armëve. Në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë, autoritetet ndaluan dy kamionë të rëndë, në të cilët u gjetën më shumë se 1,000 pushkë gjuetie të tipit ushtarak.
Një tjetër zbulim u regjistrua në Serbi, ku u sekuestruan 68 granata që dyshohet se ishin futur ilegalisht nga Bosnja. Gjatë operacionit në tërësi u kapën 268 granata.
Po në Serbi, policia identifikoi një punishte ku armë me ajër dhe armë me ndezje me goditje modifikoheshin për t’i kthyer në armë zjarri funksionale.
Sipas drejtuesit ekzekutiv të Interpolit për kapacitetet policore, Harald Arm, operacioni evidentoi rrezikun që armatimet e lidhura me konfliktet e armatosura të kalojnë në duart e organizatave kriminale dhe të përdoren për aktivitete të tjera të paligjshme.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes autoriteteve të vendeve të ndryshme për të identifikuar itineraret e trafikut dhe për të ndërprerë veprimtarinë e grupeve që merren me këtë aktivitet.
20 gomone të kapura në Bullgari, dyshime për kontrabandë emigrantësh
Operacioni nuk u kufizua vetëm te armët. Hetimet evidentuan edhe lidhje të mundshme mes rrjeteve të trafikimit dhe grupeve që organizojnë kalime të paligjshme të emigrantëve.
Në Bullgari, autoritetet sekuestruan 20 gomone që po transportoheshin drejt një shteti të Europës Perëndimore. Sipas të dhënave të inteligjencës të referuara nga Interpoli, ngarkesa dyshohej se ishte e lidhur me rrjete të kontrabandës së emigrantëve, të cilat synonin të përdornin mjetet lundruese për kalime të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit.
Gjatë kontrolleve u evidentuan edhe emigrantë që qëndronin në mënyrë të parregullt. Njëri prej tyre u kap me një armë automatike dhe disa fishekë.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia sekuestroi edhe kokainë, kanabis, cigare të falsifikuara, si dhe tekstile e produkte ushqimore të padeklaruara.
Rezultatet e “Trigger X” nxjerrin në pah shtrirjen e veprimtarisë kriminale përtej kufijve shtetërorë dhe rrezikun që armët e lidhura me zonat e konfliktit të përfundojnë në duart e grupeve kriminale. Interpoli e konsideron bashkëpunimin ndërkombëtar thelbësor për të ndjekur lëvizjen e armatimeve dhe për të parandaluar përdorimin e tyre në veprimtari të paligjshme.


