Masë disiplinore për prokuroren e Dibrës, çfarë u konstatua gjatë hetimit?

Aktualitet

Masë disiplinore për prokuroren e Dibrës, çfarë u
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktim mase disiplinore ndaj magjistrates S.Q., prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, duke i caktuar masën “Vërejtje publike”, ndërsa ILD kishte propozuar masë “Ulja e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”

Kërkesa e ILD erdhi pas një hetimi disiplinor të nisur kryesisht e që evidentoi shkelje të prokurores në zbatimin e legjislacionit procedural penal.

Sipas raportit të ILD prokurorja kishte refuzuar t’i përcillte Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke e argumentuar me ruajtjen e sekretit hetimor. Gjykata e vlerësoi këtë qëndrim si zbatim i gabuar i legjislacionit procedural penal, që ndikoi në shqyrtimin e masës së sigurimit dhe kufizoi kështu mundësinë e gjykatës për të shqyrtuar plotësisht ankimin në një çështje që lidhej me të drejtën e individit për liri.

ILD vlerësoi se prokurorja kishte vijuar me të njëjtin qëndrim, pavarësisht njohurive dhe përvojës së saj profesionale. Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kjo sjellje e vullnetshme përbën shkelje të rëndë disiplinore, që dëmton imazhin e sistemit të drejtësisë, besimin e publikut dhe rrezikon të krijojë precedent negativ edhe për magjistratë të tjerë, duke nxitur përsëritjen e praktikave të papërshtatshme në raste të ngjashme.

Si konkluzion, ILD i propozoi KLP-së uljen e përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë deri në një vit ndaj prokurores S.Q., bazuar në nenin 102, pika 2, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016, të ndryshuar. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi kërkesën pjesërisht, duke i caktuar masë tjetër, atë të “Vërejtjes publike”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion