Çfarë po ndodh mes FIFA-s dhe FSHF-së? Federata shqiptare bën publik qëndrimin e saj
FIFA ka konfirmuar se për garën më 18 mars janë paraqitur tre kandidatë për president. Bëhet fjalë për Xhani Infantinon, Filipe Diallon dhe Kohzo Tashiman. Zyrtarizimi përfundimtar për emrat që përmbushin kushtet do të jetë jo më vonë se 18 shkurt.
FSHF ka treguar se për këto zgjedhje mbështet Filipe Diallon. Ky i fundit është president i Federatës Franceze të Futbollit.
NJOFTIMI I FIFA-S
Pas thirrjes për zhvillimin e zgjedhjeve, të lëshuar nga Këshilli i FIFA-s më 29 prill 2026, Sekretariati i Përgjithshëm i FIFA-s ka marrë kandidaturat e mëposhtme, të propozuara nga Federatat Anëtare të FIFA-s për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në Kongresin e 77-të të FIFA-s, më 18 mars 2027, në Rabat të Marokut.
Emrat e kandidatëve janë renditur sipas rendit alfabetik të mbiemrit:
Filipe Diallo
Xhani Infantino
Kohzo Tashima
Në përputhje me Rregulloren e Qeverisjes së FIFA-s, kandidaturat i janë përcjellë Komisionit Zgjedhor për shqyrtim dhe për marrjen e një vendimi mbi pranimin e kandidatëve.
Siç përcaktohet në Statutin e FIFA-s dhe në kalendarin zgjedhor, Federatat Anëtare do të njoftohen për emrat e kandidatëve të propozuar dhe të pranuar jo më vonë se më 18 shkurt 2027.
Informacione të mëtejshme mbi procedurat që rregullojnë zgjedhjet presidenciale të FIFA-s mund të gjenden në Statutin e FIFA-s dhe në seksionin IV të Rregullores së Qeverisjes së FIFA-s. Ndërkohë, më shumë detaje mbi zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë përcaktuar në qarkoren nr. 1962”.


