Apeli i GJKKO liron nga qelia Embro Sulejmanin, i dyshuar se ndihmoi Ergys Agasin

Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshon masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, nga “arrest në burg” në “detyrim për t’u paraqitur”.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili ka shqyrtuar ankimin ndaj masës së sigurisë të vendosur më herët nga gjykata e shkallës së parë.
Embro Sulejmani, i cili përfaqësohet nga avokatët Andi Skënderi dhe Ajola Prençi, do të përfitojë një masë më të lehtë sigurie, duke mos qëndruar më në qeli, por duke pasur detyrimin të paraqitet pranë autoriteteve sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata.
Ndryshe ka vendosur Apeli për Fatjon Kalluçin që nuk e ndryshoi masën por e la në arrest në burg.
Sulejmani u arrestua me urdhër të SPAK-ut gjatë aksionit të ndërmarrë lidhur me hetimet për dosjen e biznesmenit Ergys Agasi. Ai u dyshua për veprime që lidhen me fshirjen e të dhënave ose pamjeve filmike (DVR) të kamerave të sigurisë për të fshehur provat dhe lëvizjet në ato ambiente
Ndërkohë, po sot shqyrtohet çështja e Vlora Hysenit, për të cilën seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit është caktuar sot në orën 13:00.


