“Janë padronët e rinj, kanë shumë pushtet”, bosi italian i drogës flet për shqiptarët në përgjime

Bota

“Janë padronët e rinj, kanë shumë pushtet”, bosi
Përgjimet e një personazhi të dyshuar si drejtues i një rrjeti të trafikut të kokainës në Katania të Italisë zbulojnë ndryshimin e ekuilibrave mes organizatave kriminale dhe fuqizimin e grupeve shqiptare në tregun e narkotikëve.

Në një bisedë të përgjuar më 29 maj 2024, Mirko Natale Scalia, i arrestuar në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Katanias për trafik droge, diskuton me dy persona të tjerë për furnizimin me kokainë, çmimet dhe raportet mes grupeve kriminale italiane dhe atyre shqiptare.

Sipas publikimit të medias italiane “Corriere della Calabria”, Scalia, i cili dyshohet se drejtonte një aktivitet të gjerë të trafikut të kokainës, duke u mbështetur në kanale të konsoliduara furnizimi në Kalabri, shprehet se rregullat e vjetra të mafies po ndryshojnë dhe se tashmë fuqinë në treg e përcaktojnë paratë, cilësia dhe çmimi i drogës.

“Sot kush komandon është cilësia dhe çmimi. Nuk është më pushteti, pushteti është vetëm te paratë”, dëgjohet të thotë Scalia gjatë bisedës së përgjuar.

“Shqiptarët kanë marrë shumë pushtet”

Një pjesë e rëndësishme e përgjimeve i kushtohet rolit të grupeve shqiptare në trafikun e kokainës në Itali. Gjatë bisedës, njëri prej bashkëbiseduesve përmend shqiptarët si aktorë që po shesin sasi të mëdha droge.

“E di kush po shet shumë? Shqiptarët”, dëgjohet të thotë njëri prej tyre.

Scalia përgjigjet: “Shqiptarët këtu kanë marrë shumë pushtet. Në Napoli shumë, edhe në Milano”.

Në vijim, biseda përqendrohet te ndryshimi i marrëdhënieve mes mafies italiane dhe grupeve shqiptare, të cilat, sipas diskutimit mes personave të përgjuar, kanë zgjeruar ndikimin e tyre në tregun e kokainës, edhe përmes lidhjeve me Holandën.

Një prej deklaratave më të forta të përgjimit është ajo që lidhet me ndryshimin e raportit të forcave mes mafies dhe grupeve shqiptare.

“Në vitet 2000-2003 nuk ekzistonte një shqiptar që të vinte këtu. Mafia ua priste duart… tani është shqiptari që ia pret duart mafies”, shprehet Scalia.

Kalabria, furnizuesit dhe porti i Gioia Tauro

Në bisedë diskutohet edhe për furnizimin me kokainë përmes Kalabrisë, ku Scalia përmend lidhjet me furnizuesit kalabrezë dhe vështirësitë e krijuara nga sekuestrimet e shumta të drogës.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e furnizimit bëhej përmes këtyre kanaleve, ndërsa përmendet edhe porti i Gioia Tauro si një pikë e rëndësishme në diskutimet për mbërritjen e ngarkesave.

Tre personat flasin gjithashtu për konkurrencën nga kanalet e tjera të furnizimit në Evropë, duke përmendur Spanjën dhe Holandën.

Përmendet edhe Raffaele Imperiale

Në fund të bisedës, emri i Raffaele Imperiale, trafikantit të njohur të drogës, të arrestuar në Dubai dhe më pas të kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, përmendet si një prej figurave që kishte pasur rol të rëndësishëm në lidhjen e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar.

Sipas njërit prej bashkëbiseduesve, Imperiale kishte menaxhuar lidhjet me furnizuesit kolumbianë dhe kishte siguruar furnizimin e grupeve kalabreze dhe napolitane.

“Ky ishte një shumë i madh, ishte numri një”, dëgjohet të thuhet gjatë përgjimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion