Goditet organizata kriminale shqiptare në Itali, 6 të arrestuar dhe 52 persona nën hetim, sekuestrohen dy kompani!

Bota

Goditet organizata kriminale shqiptare në Itali, 6 të arrestuar dhe 52

Dy kompani në qytetin e Lecco-s në Itali kanë përfunduar nën sekuestro preventive, në kuadër të një hetimi të madh të antimafias italiane ndaj një organizate kriminale, e dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas mediave italiane, operacioni, i koduar “Caveau 38”, është zhvilluar nga Drejtoria Antimafia e Milanos në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Sipas hetuesve, organizata përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe vepronte në disa vende europiane.

Hetimet kanë zbuluar një trafik ndërkombëtar të rreth 240 kilogramëve kokainë, ndërsa grupi dyshohet se kishte grumbulluar dhe transferuar drejt Shqipërisë më shumë se 14 milionë euro në para të gatshme.

Sipas hetimeve, paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal pastroheshin edhe përmes blerjes së shufrave të arit.

Bëhet fjalë për afro 8 kilogramë ar, të blerë në Itali nëpërmjet një kompanie që operonte në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Edhe kjo kompani është vendosur nën sekuestro.

Paratë dyshohet se kalonin fillimisht nëpër aktivitete të ligjshme për të fshehur origjinën e tyre kriminale dhe më pas transferoheshin në Shqipëri.

 Ndërkohë, kompania e dytë në Lecco dyshohet se shërbente si “kasafortë” e grupit kriminal, duke investuar paratë në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për dy kompanitë e sekuestruara është caktuar një administrator gjyqësor.

Në kuadër të hetimit janë 52 persona nën hetim, si dhe dy kompanitë, për veprimtari të dyshuara kriminale të kryera gjatë periudhës 2019–2022.

Sipas autoriteteve italiane, organizimi i transaksioneve të drogës dhe i lëvizjes së parave bëhej edhe përmes sistemeve të komunikimit të enkriptuar.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu më shumë se 1.5 milionë euro cash, si dhe kokainë, heroinë dhe marijuanë, me një sasi totale prej rreth 32 kilogramësh.

Gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa hetimi vijon për të zbardhur plotësisht aktivitetin e organizatës kriminale dhe rrjetin e saj financiar mes vendeve të përfshira.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion