Detajet, çfarë presin socialistët nga Asambleja e 14 nëntorit. Rama, ndryshime në qeveri si në 2023?

Teksa protestat e muajve të fundit kulmuar nga ato të dhunshmet të Tetorit, kanë prodhuar shpenzimin e shumë energjive nga maxhoranca qeverisë, kryesocialisti Edi Rama po diskuton me bashkëpunëtorët e tij, mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të PS.
Burime nga Partia Socialiste , thonë se është në diskutim mbledhja e Asamblesë më 14 nëntor.
Megjithatë, në ditët në vijim pritet konfirmimi i kësaj date dhe njoftimi i të gjithë anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së.
Por çfarë mund të prodhojë kjo asamble e mundshme e 14 nëntorit?
Renditen çështjet kryesore që pritet të jenë objekt diskutimi nga kryesocialisti Edi Rama.
Kjo do të jetë një asamble ku fokusi do të jetë në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 9 majit, përfshirë situatën me protestat, të cilat vazhdojnë, pavarësisht rënies së pjesëmarrjes.
Krahas mobilizimit për t’i fituar këto zgjedhje, pritet që Edi Rama të shpalosë mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve socialistë për kryebashkiakë.
Vlen për t’u parë nëse nga kjo asamble Edi Rama do të shpalosë idetë e tij se cila mund të jetë kandidatura perfekte për të fituar Bashkinë e Tiranës, më të madhen në vend.
Socialistët presin nga kjo asamble të dëgjojnë qëndrimet publike të kryetarit të PS-së për sa i përket Erion Veliajt, tashmë të vendosur publikisht në një kurs të fortë përplasjeje me Edi Ramën pas transferimit në burgun e Fierit.
Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse do të futet në rendin e ditës të kësaj asambleje mocioni i Elisa Spiropalit, ku i kërkon Edi Ramës hapjen e Partisë Socialiste dhe adreson nevojën e një “Marrëveshjeje të Re për Shqipërinë”.
Asamblenë e shtatorit 2023, Edi Rama e përdori për të shpalosur ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij qeverisës.
Mbetet tërësisht ekskluzivitet i Ramës nëse do ta përdorë Asamblenë e 14 nëntorit për ndryshime thelbësore në kabinetin e tij të katërt, në një kohë kur qeveria po përballet me një mori shqetësimesh të ardhura nga protestat, për të cilat kryeministri thotë se i ka mbajtur shënim dhe po adresohen.


