“Kushtet skandaloze”, avokati i Veliajt pas takimit në burgun e Fierit: Është në një korridor me vr'asës serialë

Avokati i Popullit dhe avokati i Erjon Veliajt kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Fier, pas kërkesës së vetë kryebashkiakut të Tiranës, i cili e ka cilësuar të paligjshëm transferimin e tij nga burgu i Durrësit.
Sipas burimeve për TCH nga brenda IEVP Fier, Avokati i Popullit është takuar me Erjon Veliajn dhe më pas është larguar nga ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Vizita vjen pas kundërshtimit publik të Veliajt ndaj transferimit të tij, të cilin ai e ka konsideruar si një veprim që cenon të drejtat e tij.
Ndërkohë avokati i Erjon Veliajt, Plarent Ndrecaj, ka ngritur shqetësime për kushtet e qëndrimit të klientit të tij në burgun e sigurisë së lartë në Fier, duke deklaruar se ai është vendosur në një ambient izolimi së bashku me dy të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm.
Pas takimit me Veliajn, avokati ka folur për Top Channel dhe e cilësoi transferimin nga burgu i Durrësit në Fier si të paligjshëm, duke pretenduar se deri në momentin e deklarimit nuk ishte vënë në dispozicion asnjë akt i shkruar që të argumentonte arsyet e këtij vendimi.
Sipas avokatit, ambienti ku mbahet Veliaj është i papërshtatshëm, ndërsa ai pretendon se klientit të tij nuk i është mundësuar kontrolli mjekësor, pavarësisht problemeve që ka pasur me këmbën prej më shumë se tre javësh.
Avokati deklaroi gjithashtu se Veliaj nuk kishte konsumuar ushqim dhe se nuk i ishte mundësuar komunikimi telefonik me familjen dhe avokatin.
Ai falënderoi Avokatin e Popullit, Endrit Shabani, për vizitën dhe verifikimin e situatës në burgun e Fierit, ndërsa kërkoi reagimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të institucioneve të tjera përgjegjëse.
Pretendimet për kushtet e izolimit dhe ligjshmërinë e transferimit pritet të marrin një përgjigje nga autoritetet e burgjeve.


