Vrasja e trefishtë në Gjilan/ Ish-hetuesit: Të dyshuarit mund të kenë kaluar në Serbi, t’i kërkohet ndihmë EULEX-it

Kosovë&Rajon

Vrasja e trefishtë në Gjilan/ Ish-hetuesit: Të dyshuarit mund

Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Engjulli e Edonisi, të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan, vijojnë të jenë në arrati edhe pse Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim që prej një jave.

Ngjarja ndodhi para shtatë ditësh pas një përplasjeje me armë, që dyshohet se erdhi si pasojë e fajdeve. Pavarësisht angazhimit të policisë, autorët nuk janë lokalizuar.

Ish-gjyqtari Emrush Kastrati deklaroi për TV Dukagjinin se persona të tillë janë të përgatitur dhe shpesh shmangin çdo komunikim, duke u fshehur në kushte sekrete. Ai nuk përjashton mundësinë që Shkodra dhe djemtë e tij të kenë kaluar në Serbi, duke shtuar se Policia e Kosovës duhet të kërkojë ndihmën e EULEX-it, pasi bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me autoritetet serbe është i pamundur.

Edhe ish-hetuesi policor Hilmi Canolli e sheh EULEX-in si mundësinë e vetme për arrestimin dhe ekstradimin e të dyshuarve. “Përmes presionit të BE-së apo EULEX-it mund të arrihet që Serbia të bashkëpunojë, ndryshe mundësitë janë shumë të kufizuara,” tha ai.

Mefail Shkodra ka precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje, vjedhje shërbimesh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Ai dhe njëri nga djemtë e tij ishin arrestuar vitin e kaluar për fajde dhe detyrim, por u liruan pasi kishin paguar dorëzani.

ME TE LEXUARAT