Mbledhja e parë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi e hap seancën në shqip

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi hapi sot seancën e qeverisë së sapoformuar kalimtare, duke u uruar suksese të gjithë ministrave të emëruar.
Në fillim të seancës ai u tha ministrave që të mos vendosin kufje për përkthim, sepse fjalimin e hapjes do ta lexojë në të dyja gjuhët. Xhaferi fillimisht foli në shqip, e më pas në maqedonisht.
“Hapjen e seancës do ta bëj në fillim në të dyja gjuhët, nuk ka nevojë për kufje, sepse do të them të njëjtën gjë. Ju mirëpres në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë konstituive të qeverisë kalimtare të Maqedonisë së Veriut.
Para se të kalojmë në miratimin e rendit të ditës, të gjithë anëtarëve të qeverisë, në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për zgjedhjen dhe t’ju uroj punë dhe bashkëpunim të suksesshëm. Para nesh është një detyrë kyçe përgatitja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira në një atmosferë demokratike.
Në këtë kemi obligim të bashkëpunojmë me Parlamentin dhe KSHZ-në dhe me misionin e OSBE/ODIHR-it, me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar standardet më të larta evropiane në fushatën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet në mënyrë që qytetarët mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre”, tha ai.


