Maqedonia e Veriut me qeveri teknike, për herë të parë një kryeministër shqiptar

Kosovë&Rajon

Maqedonia e Veriut me qeveri teknike, për herë të parë

Kuvendi i RMV-së sot do ta mbajë mbledhjen e 139-të në të cilën pritet të konstatohen dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit, Jovan Mitreski, koordinator aktual i grupit parlamentar të LSDM-së.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhanë sot dorëheqje nga postet e tyre për t’ia hapur rrugën formimit të qeverisë së përkohshme teknike. Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut qeverinë pritet ta drejtojë një shqiptar dhe ky do të jetë zoti Talat Xhaferi i Bashkimit Demokratik për Integrim. Qeveria teknike pritet të miratohen të dielën deri në mesnatë.

Mandatari teknik të shtunën do të dorëzojë program dhe përbërje të Qeverisë në Kuvend.

Përbërja e Qeverisë teknike tashmë dihet pasi partitë politike i publikuan propozimet për ministra dhe zëvendësministra shtesë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, propozim për kryeministër teknik, dje në intervistë për Kanalin e Kuvendit, theksoi se jo vetëm që pret të kemi proces të drejtë, demokratik dhe të suksesshëm zgjedhor, por, siç tha, kemi obligim të sigurojmë zgjedhje të tilla.

“Unë jo që pres të kemi zgjedhje të tilla, por e kemi obligim. Dhe kjo vetvetiu është sfidë, dhe fillimisht, personalisht për mua si bartës i atij funksioni, ndërkaq duke i pasur parasysh komunikimin me përfaqësuesit të cilët do të jenë pjeës e asaj qeverie, konsideroj se të gjithë e kanë të qartë se jemi të obliguar ta sigurojmë për qytetarët. Dhe unë jam i bindur se atë do ta sigurojmë dhe do të kemi konsensus mes të gjithë pjesëmarrësve në atë proces”, tha Xhaferi në intervistë për kanalin kuvendor.

Ai thekson se kanë obligim moral, politik dhe etnik ndaj qytetarëve, t’u sigurojnë pasqyrë adekuate para institucioneve ndërkombëtare të cilët në mënyrë adekuate do ta mbikëqyrin procesin e zgjedhjeve.

Qeveria teknike sipas paralajmërimeve të Talat Xhaferit pritet të votohet ditën e diel.

ME TE LEXUARAT