Fadroma të shumta zbarkojnë në Vlorë, nis shembja e disa objekteve pa leje

Aktualitet

Fadroma të shumta zbarkojnë në Vlorë, nis shembja e disa
Bashkia e Vlorës ka ka vijuar me ndërhyrjet në tre lagje të ndryshme të qytetit. Në fokus janë shembjet e objekteve të ndërtuara pa leje ose që janë në proces legalizimi, të cilat janë kthyer në pengesë për projektet e rehabilitimit dhe sistemimit të zonave.

Në total janë 20 objekte që preken nga këto ndërhyrje. Pesë prej tyre ndodhen në zonën e Tregut të Orizit, ndërsa 15 të tjera janë të vendosura mbi kanalin e Naunkes ose në afërsi të tij.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka bërë të ditur se, përveç objekteve, në kuadër të ndërhyrjeve do të preken edhe rreth 2 mijë metra linearë mure rrethuese në lagjen “24 Maji” dhe rreth 1 mijë metra të tjerë në zonën pranë Tregut te orizit.

Nga objektet e përfshira në projekt, deri më tani janë shembur ato që janë ndërtuar pa leje, mes tyre edhe disa ndërtime të ngritura mbi kanalin e Naunkës. Ndërkohë, për objektet e tjera do të vlerësohet nëse janë përfshirë në procesin e legalizimit, si dhe distanca e tyre nga kanali kullues, për të përcaktuar nëse do të vijojë procesi i shembjes.

Për familjet që preken nga ndërhyrjet, fillimisht parashikohet mundësia e përfitimit nga bonusi i qirasë dhe më pas, sipas rastit, nga skemat e dëmshpërblimit.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë ka theksuar gjithashtu se këto objekte, përveçse janë pengesë për realizimin e projekteve të rehabilitimit, kanë krijuar problematika edhe në menaxhimin e situatave të përmbytjeve në qytet.

Një prej zgjidhjeve të parashikuara është ndërtimi i qemerit të qytetit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Projekti synon të ndërhyjë në disa prej zonave kryesore të qytetit që janë më të prekura nga përmbytjet.

Ndërkohë, banorët e zonave ku po kryhen ndërhyrjet i konsiderojnë të rëndësishme projektet për rehabilitimin dhe sistemimin e kanalit kullues. Megjithatë, ata kërkojnë që familjet që preken nga shembjet të dëmshpërblehen dhe që procesi të zbatohet në mënyrë të barabartë, pa ndërhyrje selektive.

Ndërhyrjet parashikojnë shembjen e disa objekteve që rezultojnë pengesë për projektet e rehabilitimit në lagje të ndryshme të qytetit, por në fokus është edhe lirimi dhe sistemimi i kanalit kullues kryesor, atij të Naunkes.

Ky kanal konsiderohet një prej pikave të rëndësishme për menaxhimin e ujërave në qytet, ndaj ndërhyrja synon të përmirësojë kullimin dhe të reduktojë problematikat që shfaqen gjatë reshjeve të dendura dhe situatave të përmbytjeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion