Avokati: Dikush mund t’i ketë bërë presion Naim Murselit për të vrarë bashkëshorten?
Avokati Tomë Gashi nëpërmjet një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top News ka folur mbi vrasjet e fundit të grave nga ana e bashkëshortëve të tyre në Kosovë.
Duke u ndalur specifikisht tek vrasja e Liridona Ademajt e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ekzekutim që dyshohet se u planifikua nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, avokati tha se prokuroria po heton pistën që ky i fundit të ketë qenë nën presion për të kryer krimin e rëndë.
“Duke e ditur jetën që ka pasur, janë duke u hetuar edhe persona të tjerë. Indicet mund të jenë, mos ndoshta ky person mund të ketë qenë nën presion. Këto janë pista të hetimit që ka prokuroria. I vetmi organ që e bën hulumtimin, është prokuroria e shtetit”– tha avokati.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Lidhur me propozimet në Kosovë për ashpërsimin e Kodit Penal për krimet e vrasjes së bashkëshorteve në vend, Gashi u shpreh se e vetmja mënyrë për të parandaluar vrasje të tilla do të ishte vendosja e dënimit me vdekje.
“Shifra që është thënë është tepër shqetësuese sepse ka marrë vetëm rastet e bashkëshorteve nga burrat e tyre, gjë që është trishtuese, pavarësisht se po flasim për një periudhë kohore prej 25 vitesh. Besoj se është mentaliteti i tyre por besoj se njëra prej mënyrave për të parandaluar çdo vrasje, jo vetëm atë të bashkëshorteve, është ajo e shikimit të dënimit me vdekje”- shtoi Gashi.