AAK konfirmon Haradinajn si kandidat për kryeministër

Kosovë&Rajon

AAK konfirmon Haradinajn si kandidat për kryeministër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Haradinaj do të jetë edhe bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, teksa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”.

Ai bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së është miratuar edhe lista me 110 kandidatë për deputetë si dhe programi zgjedhor.

Sipas tij, programi është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: “qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik”.

“Aleanca në zgjedhje niset ‘Krah Teje’, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të të pandarë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, AAK-ja garoi në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti të tjera. Koalicioni arriti të fitojë 66.256 vota apo 7.06 për qind. Nga tetë deputetë, pesë ishin nga AAK-ja dhe tre nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Deri më tani, edhe partitë e tjera shqiptare kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar kreun e partisë, Albin Kurti, Partia Demokratike do të garojë me kreun e ri të partisë, Bedri Hamza, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku për postin e kryeministrit.

Që të katër këta udhëheqës partiakë ishin kandidatë për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit./ REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion