Mori para për të “nxjerrë” nga banesa personin me “arrest shtëpie”, arrestohet polici në Prrenjas (EMRI)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie në Prrenjas, i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në pranga ka përfunduar Inspektor Çlirim Torra, Specialist i Policisë në Terren pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Librazhdit.
Sipas hetimeve paraprake, polici dyshohet se ka marrë një shumë parash nga shtetasi me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në këmbim të parave, Torra dyshohet se i ka krijuar mundësi personit nën masë sigurie të largohej nga banesa, duke i mundësuar kështu shkeljen e masës së përcaktuar nga gjykata.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ndaj punonjësit të policisë janë ngritur dyshime për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
AMP ka deklaruar se do të vijojë hetimet ndaj rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve ligjore brenda strukturave të Policisë së Shtetit.


