Kërkuan shfuqizimin e dekreteve për “Diellën”/ Kushtetuesja rrëzon padinë e 39 deputetëve të opozitës

Politikë

Kërkuan shfuqizimin e dekreteve për “Diellën”/

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e dy dispozitave të dekreteve presidenciale që lidhen me ministren virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”.

Në vendimin përfundimtar, të marrë më 8 tetor dhe të publikuar më 9 nëntor 2026, Gjykata arsyeton se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ dhe se çështja nuk përfshihet në kompetencën e saj për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së akteve.

Gjykata sqaron se “Diella”, pavarësisht emërtimit si ministre, nuk është funksionare e një organi kushtetues, por një platformë e inteligjencës artificiale, e krijuar për të lehtësuar përpunimin e të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, me synim parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Sipas vendimit, platforma nuk është person fizik, nuk ka zotësi juridike të pavarur dhe nuk përmbush karakteristikat e një ministrie si person juridik. Për rrjedhojë, ndaj saj nuk zbatohen kriteret kushtetuese për zgjedhjen apo emërimin e ministrave.

Megjithatë, Gjykata thekson se përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë publike nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave.

Ajo nënvizon se inteligjenca artificiale mund të përdoret vetëm si instrument në ushtrimin e kompetencave që ekzistojnë paraprakisht në rendin juridik, ndërsa përgjegjësia dhe llogaridhënia mbeten te organet dhe funksionarët shtetërorë.

Gjykata vëren gjithashtu se përdorimi i këtyre sistemeve duhet të mbështetet në një kuadër të qartë ligjor, duke garantuar mbrojtjen e të dhënave personale, sigurinë, mosdiskriminimin dhe mbikëqyrjen njerëzore.

Në përfundim, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion