Katër protestues pretendojnë se u goditën me plumba gome, Avokati i Popullit kërkon regjistrimet e operacionit policor të 28 Nëntorit

Aktualitet

Katër protestues pretendojnë se u goditën me plumba gome, Avokati

Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Tiranës të ruajë menjëherë të gjitha pamjet filmike dhe komunikimet në radio të operacionit policor gjatë protestës së 28 nëntorit, me qëllim garantimin e provave për hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës.

Pas monitorimit në terren, institucioni bën me dije se katër protestues të kontaktuar në Spitalin e Traumës kanë deklaruar se janë goditur me plumba gome dhe mjete të tjera, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në sy.

Avokati i Popullit kërkon gjithashtu sqarime për zinxhirin e komandimit, përdorimin e mjeteve të forcës dhe trajtimin e protestuesve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë të lënduar.

Njoftimi:

Tiranë, 29 nëntor 2026. Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të ruajë menjëherë çdo regjistrim të operacionit të 28 nëntorit: pamjet nga kamerat e trupit, nga dronët dhe nga mjetet, si edhe komunikimet në radio.

Kërkesa vjen pas monitorimit në terren që Avokati i Popullit i ka bërë protestës së 28 nëntorit. Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi shprehet se katër protestues që grupet e monitorimit kontaktuan në Spitalin Universitar të Traumës deklaruan se u goditën me plumba gome. Njëri prej tyre deklaroi se u godit në sy dhe grupi konstatoi syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur. Një tjetër deklaroi se u godit edhe me shkop gome. Një i tretë deklaroi se u qëllua në ballë nga distancë e afërt me fishek gazi dhe grupi konstatoi shenja në këmbë dhe kokën të fashuar pas qepjes së një plage.

Me shkresën e dërguar, Avokati i Popullit i kërkon Policisë të sqarojë:

Kush e urdhëroi përdorimin e forcës: planin operacional dhe zinxhirin e komandimit.

Çfarë u përdor dhe sipas cilave rregulla: plumbat e gomës, fishekët e gazit, gazin lotsjellës të hedhur nga dronët dhe ujëhedhësit, me orën, vendin, urdhrin dhe paralajmërimin për secilin, si edhe distancën minimale dhe pjesët e trupit ku lejohet qitja.

Si u mbrojtën gazetarët dhe të lënduarit: rrethanat e dëmtimit të punonjësve të medias, përfshirë pretendimin për përdorimin e ujit me presion drejt zonës ku ndodheshin mediat, ndihmën e parë dhe hyrjen e ambulancave.

Si identifikohen punonjësit e policisë në terren.

Më 28 nëntor, grupet e monitorimit ishin në Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin Universitar të Traumës. Avokati i Popullit ndjek me të njëjtën vëmendje lëndimin e punonjësve të policisë, të protestuesve dhe të gazetarëve. Ligji e lejon forcën vetëm kur është e nevojshme dhe në masë proporcionale.

Ngjarjet e 28 nëntorit janë pjesë e hetimit që institucioni zhvillon prej disa muajsh për menaxhimin e protestave nga Policia e Shtetit. Raporti do të depozitohet në Kuvend në dhjetor 2026.

Avokati i Popullit do të bëjë publike përgjigjen e Policisë, ose mungesën e saj.

Katër protestues pretendojnë se u goditën me plumba gome, Avokati

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion