Presidenti Begaj uron Ditën e Çlirimit: Nderojmë dëshmorët dhe sakrificën e tyre për lirinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar shqiptarët me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit, duke përkujtuar ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Në këtë ditë, Kreu i Shtetit zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Në mesazhin e tij, Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtimit të dëshmorëve dhe përcjelljes së amanetit të tyre te brezat e ardhshëm.
“Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre.
Sakrifica e tyre përbën një nga amanetet më të shenjta të historisë.
Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Ne kemi detyrimin të nderojmë përjetësisht kujtimin e tyre, të mbajmë gjallë veprën e tyre, lirinë, dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!” – shkroi Presidenti i Republikës.


