Shenjat e para të infarktit mund të shfaqen 30 vite më herët, studimi që tregon si ta zbuloni rrezikun

Problemet e zemrës dhe goditjet në tru mund të mos shfaqen aq papritur sa mendohet. Një studim i ri shkencor ka zbuluar se shenjat e para që tregojnë rrezikun për këto sëmundje mund të shfaqen deri në 30 vite përpara një episodi të rëndë shëndetësor.
Studimi, i kryer nga studiuesit e Universitetit të Edinburgut dhe i publikuar në revistën shkencore “JAMA”, ndoqi gjendjen shëndetësore të afro 114 mijë personave për rreth tri dekada. Në fillim të studimit, asnjëri prej tyre nuk kishte sëmundje të zemrës, por gjatë viteve rreth 17 mijë pjesëmarrës pësuan infarkt, goditje në tru ose humbën jetën nga probleme kardiovaskulare.
Studiuesit vunë re se te personat që më vonë zhvilluan probleme me zemrën, disa ndryshime shëndetësore ishin të dukshme shumë kohë përpara.
Një nga sinjalet kryesore ishte tensioni i lartë i gjakut, veçanërisht presioni sistolik, që mat forcën me të cilën gjaku shtyn muret e arterieve kur zemra pompon.
Një tjetër tregues ishte NT-proBNP, një proteinë që matet përmes analizave të gjakut dhe ndihmon në vlerësimin e ngarkesës së zemrës. Ndryshimet në këtë tregues u vunë re deri në 10 vite përpara shfaqjes së problemeve serioze.
Faktorë të tjerë që u lidhën me rrezikun ishin funksionimi i dobët i veshkave, mungesa e aktivitetit fizik, diabeti dhe mbipesha.
Sipas studiuesve, zbulimi i këtyre shenjave në kohë mund t'u japë njerëzve mundësinë të ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe të marrin trajtimin e nevojshëm përpara se të shfaqen komplikacionet.
Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Vetëm gjatë vitit 2022, rreth 19.8 milionë njerëz humbën jetën nga infarkti, goditja në tru dhe probleme të tjera të zemrës.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, matjes së tensionit, analizave të gjakut, ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik. Megjithatë, studiuesit nënvizojnë se këto tregues nuk nënkuptojnë se një person do të pësojë patjetër infarkt, por ndihmojnë në identifikimin e atyre që mund të kenë rrezik më të lartë.


