Stuhia “Argos” godet Greqinë, përmbytje në disa zona dhe alarm i kuq në Athinë

Stuhia “Argos” ka përfshirë Greqinë, duke shkaktuar përmbytje në disa zona dhe duke sjellë paralajmërim të nivelit më të lartë për motin në Athinë dhe rajone të tjera të vendit.
Sipas mediave greke, stuhia pritet të arrijë kulmin gjatë ditës së sotme. Alarm i kuq është aktivizuar për Atikën, Thesalinë, pjesën lindore të Greqisë qendrore, Evian dhe zona të caktuara të Peloponezit.
Në Detin Egje parashikohen erëra të stuhishme, me intensitet që mund të arrijë deri në 10 ballë.
Situata më e rrezikshme pritet në Athinë, ku gjatë orëve të pasdites mund të regjistrohen reshje të dendura shiu, në sasi të krahasueshme me mesataren e reshjeve të gjithë muajit nëntor.
Autoritetet kanë dërguar paralajmërime përmes sistemit 112 për banorët e pesë distrikteve, ndërsa në katër rajone janë vendosur masa emergjente, përfshirë ndalimin e punës në ambiente të hapura.
Reshjet kanë nisur që mbrëmjen e kaluar në Athinë, duke shkaktuar grumbullime të mëdha uji në disa rrugë dhe ndërprerje të trafikut. Në periferinë bregdetare të Vulës, qarkullimi u pezullua përkohësisht.
Ndërkohë, në veri të Greqisë janë regjistruar reshje dëbore. Kushtet dimërore kanë përfshirë Florinën dhe zonat përreth Kosturit, ku është krijuar edhe shtresë dëbore.


