“Kam qenë polic në Shqipëri”- Si Nikolin Pali i dënuar me dy burgime të përjetshme u fsheh për 6 vite

Aktualitet

“Kam qenë polic në Shqipëri”- Si Nikolin Pali i

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me arrestimin në Greqi të 43-vjeçarit shqiptar, Nikolin Pali, i dënuar në mungesa me dy burgime të përjetshme për vrasjen e dyfishtë në Loutraki të Greqisë, në vitin 2020.

Autoritetet greke dyshojnë se ai mund të jetë i përfshirë në të paktën katër vrasje, ndërsa po hetohet edhe lidhja e tij e mundshme me ekzekutime me pagesë.

Sipas mediave greke, shqiptari kishte arritur t’i shmangej arrestimit për rreth gjashtë vite. Operacioni për kapjen e tij u zhvillua nga efektivët e Departamentit të Vrasjeve të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, pas një informacioni të marrë rreth 15 ditë më parë se ai fshihej në një apartament në zonën e Patissias.

Policia mbajti nën vëzhgim banesën për dy javë, duke monitoruar lëvizjet e tij dhe duke tentuar të konfirmonte identitetin. Sipas hetuesve, 43-vjeçari dilte shumë rrallë nga apartamenti dhe shmangte praninë në ambiente publike, duke u përpjekur të mos tërhiqte vëmendjen.

Gjatë ndërhyrjes policore, e zhvilluar në praninë e një prokurori dhe me mbështetjen e forcave speciale, ai u arrestua. Në posedim iu gjet edhe një pistoletë, e cila është dërguar në laboratorët kriminalistikë për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjatë arrestimit, shqiptari u ka thënë efektivëve se në të kaluarën kishte shërbyer si polic në Shqipëri.

Mohon vrasjen e dyfishtë në Loutraki, pranon dy vrasje në Shqipëri

Pavarësisht dënimit me dy burgime të përjetshme, 43-vjeçari vijon të mohojë përfshirjen në vrasjen e dyfishtë të ndodhur në tetor të vitit 2020 në Loutraki.

Bëhet fjalë për vrasjen e ish-partneres së tij me origjinë ukrainase dhe të partnerit të saj të atëhershëm, një farmacist në zonë. Dy viktimat u gjetën të vrara në një banesë pushimi, ndërsa autori dyshohet se kishte përdorur një sëpatë.

Ndërkohë, sipas mediave greke, gjatë marrjes në pyetje shqiptari ka pranuar se kishte kryer edhe dy vrasje të tjera në Shqipëri, përpara vitit 2002, duke përdorur sërish një sëpatë.

Ai ka pretenduar se pas këtyre ngjarjeve ishte larguar drejt Greqisë për t’iu shmangur burgimit. Autoritetet shqiptare kishin lëshuar një njoftim kërkimi ndaj tij dhe sipas raportimeve, ishte dënuar me 22 vite burg për vrasje. Megjithatë, këto vepra penale tashmë konsiderohen të parashkruara.

Burime policore greke dyshojnë se 43-vjeçari ka zgjedhur të flasë për këto dy vrasje, duke qenë i vetëdijshëm se afati i parashkrimit ka përfunduar. Sipas tyre, nuk përjashtohet që rrëfimi të jetë një përpjekje për të çorientuar hetuesit dhe për të larguar vëmendjen nga ngjarje të tjera ku mund të jetë i përfshirë.

Dyshimet për vrasje me pagesë

Hetuesit grekë e konsiderojnë 43-vjeçarin një person me rrezikshmëri të lartë dhe po shqyrtojnë mundësinë që ai të ketë vepruar si vrasës me pagesë, duke marrë përsipër ekzekutime të porositura.

Vëmendja e autoriteteve është përqendruar te verifikimi i lidhjeve të tij të mundshme me ngjarje të tjera kriminale, përtej vrasjeve për të cilat tashmë është identifikuar ose dyshohet.

Pistoleta e sekuestruar gjatë arrestimit pritet të luajë një rol të rëndësishëm në hetime, pasi ekspertizat balistike mund të ndihmojnë në përcaktimin nëse arma është përdorur në atentate apo vrasje të tjera.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë aktivitetin e mundshëm kriminal të 43-vjeçarit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion