Ish-deputeti Gani Geci ndalohet për 48 orë, dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj

Kosovë&Rajon

Ish-deputeti Gani Geci ndalohet për 48 orë, dyshohet për kanosje
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Vendimi është marrë nga prokurori i rastit pas intervistimit të tij, bëjnë të ditur mediat në Kosovë.

Ngjarja u shënua mbrëmjen e 12 tetorit, kur Geci shkoi në ambientet e televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus”, në një debat me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Në përfundim të emisionit, moderatori Ermal Panduri njoftoi se disa persona po i prisnin jashtë ambienteve të televizionit. Sipas raportimit të Nacionales, bëhej fjalë për Gani Gecin, i cili dyshohet se kishte tentuar të hynte në studiot e televizionit, por ishte ndaluar nga policia.

Përplasja nisi pas një postimi për Fatos Gecin

Sipas deklarimeve publike të gazetarit Mehmetaj, konflikti nisi pas një postimi të tij kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, lidhur me deklaratat e këtij të fundit për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mehmetaj ka pretenduar se anëtarë të familjes Geci e kishin kontaktuar dhe i kishin kërkuar të hiqte ose të ndryshonte postimin. Sipas tij, kërkesa ishte përsëritur edhe gjatë një takimi në zyrën e tij, por ai kishte refuzuar.

Gazetari deklaroi gjithashtu se pas refuzimit kishte pasur kërcënime dhe se e kishte raportuar çështjen në polici.

“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj në emisionin “Debat Plus”.

Geci kishte njoftuar më herët për pajtim mes familjeve

Një tjetër element i kësaj përplasjeje është se, gjatë së njëjtës ditë, Gani Geci kishte bërë të ditur publikisht se ishte arritur një marrëveshje pajtimi mes familjes së tij dhe familjes së gazetarit Mehmetaj.

Sipas postimit të Gecit, takimi ishte zhvilluar në restorantin “Garden”, me ndërmjetësimin e Anton Qunit dhe Fadil Hadërgjonajt. Në takim, sipas tij, kishin marrë pjesë babai dhe vëllai i gazetarit, si dhe vetë Geci.

Ai pretendoi se palët ishin zotuar të mos merreshin më me njëra-tjetrën përmes shkrimeve apo daljeve televizive. Megjithatë, Mehmetaj deklaroi se nuk do ta hiqte postimin për Fatos Gecin.

Sipas raportimit të publikuar mëngjesin e 13 tetorit, pas intervistimit, prokurori vendosi ndalimin e Gecit për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës e përfshiu rastin në raportin e saj 24-orësh si rast të dyshuar kanosjeje ndaj një gazetari. Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.

ME TE LEXUARAT