Incidenti gjatë fluturimit, "Piloti i dytë i Flydubai-t sulmoi kapitenin me sëpatë"

Bota

Incidenti gjatë fluturimit, "Piloti i dytë i Flydubai-t sulmoi
Bashkëpiloti që tentoi të merrte kontrollin e një avioni të Flydubai-t që udhëtonte drejt Izraelit e sulmoi kapitenin me sëpatën e emergjencës, ka deklaruar Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Avioni, që po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit me më shumë se 170 persona në bord, humbi papritur 17 mijë këmbë, rreth 5 200 metra lartësi, dy orë e gjysmë pas nisjes. Pasagjerët arritën ta neutralizonin sulmuesin dhe të merrnin kontrollin e avionit.

Komandanti Smit Machchhar tha se ndodhej i shtrirë në dysheme, i plagosur, kur kuptoi se avioni po humbte lartësi dhe se duhej të vepronte. “I thashë vetes: duhet të bëj edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, rrëfeu ai. Kjo u mundësoi pasagjerëve të hynin në kabinën e pilotimit. 

Dy pilotë rezervë morën më pas kontrollin e avionit dhe e ulën atë në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite.

Një sëpatë emergjence zakonisht mbahet në kabinën e pilotimit për raste emergjencash.

Fakti që arma e përdorur ishte pikërisht sëpata ka qenë një nga çështjet kryesore për hetuesit, duke pasur parasysh masat e rrepta të sigurisë që zbatohen në një itinerar kaq të ndjeshëm. Raportimet e para nga pasagjerët në bord kishin sugjeruar se mund të ishte përdorur një thikë.

Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe u tha mediave shtetërore se hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e plota dhe motivet e incidentit.

Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, bashkëpiloti që ndërmori sulmin ishte shtetas i Omanit.

Disa media, përfshirë Reuters, CNN dhe The New York Times, e kanë identifikuar atë si Hamam al-Hammami. Megjithatë, identiteti i tij nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Gjatë kohës që punonte për një tjetër kompani ajrore, Oman Air, mediat amerikane raportuan se al-Hammami ishte larguar nga trajnimi për pilot për shkak të shqetësimeve lidhur me pikëpamjet e tij radikale dhe ishte caktuar në një detyrë tjetër në kompaninë kombëtare ajrore të Omanit.

Autoritetet australiane konfirmuan të dielën se po hetonin “lidhjet” e tij me Australinë, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme.

Australian Broadcasting Corporation, duke iu referuar burimeve të veta, raportoi se ai kishte marrë vizë studentore në vitin 2014 dhe kishte studiuar në Australi nga viti 2015 deri në vitin 2017, përpara se të largohej nga vendi.

Sipas ABC-së, viza e tij studentore u anulua në vitin 2019, pasi në atë kohë ai nuk ishte i regjistruar në asnjë program studimi.

Zyrtarët kundër terrorizmit do të shqyrtojnë nëse burri ishte radikalizuar gjatë kohës që ndodhej në Australi, raportoi ABC.

Më pas, ai përfundoi një program trevjeçar studimi në distancë të organizuar nga Buckinghamshire New University në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vitin 2023 u diplomua në menaxhim të aviacionit, bëri të ditur universiteti. Institucioni shtoi se ai nuk kishte kryer aty asnjë trajnim për pilot.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se pasi sulmuesi ishte neutralizuar në avion, ai kishte thirrur drejt ekuipazhit: “Më vrisni, më vrisni!”

Kryeministri izraelit shtoi: “Pra, është e qartë se ai ishte vetëvrasës… Duket shumë e mundshme se ai po përpiqej ta rrëzonte avionin.”

Ai tha gjithashtu se sulmuesi “i ishte nënshtruar indoktrinimit radikal islamist”.

Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif Al Shamsi, deklaroi se hetimet për incidentin kishin zbuluar se bashkëpiloti ishte përpjekur të kryente një “akt terrorist”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit.

Ai tha gjithashtu se hetimet po vazhdonin për të përcaktuar rrethanat, motivet dhe çdo lidhje të mundshme që mund të ketë pasur në lidhje me incidentin.

Machchhar, i cili u plagos gjatë sulmit, u dërgua në një spital aty pranë dhe më pas u transportua me helikopter drejt Abu Dhabit, ku raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Piloti indian ishte në “gjendje të mirë shëndetësore dhe po rikuperohet mirë”, deklaroi të enjten Ambasada e Indisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Jam i bindur se do të shërohem dhe do të jem sërish në formë e i shëndetshëm”, tha Machchhar.

Harta tregon itinerarin e fluturimit FZ1073 të Flydubai-t nga Dubai në Tel Aviv. Avioni u nis nga Dubai në orën 03:05 GMT dhe fluturoi në drejtim të veriperëndimit mbi Arabinë Saudite, drejt Izraelit.

Pranë kufirit Izrael-Jordani, avioni deklaroi një emergjencë të përgjithshme në orën 05:31 dhe më pas aktivizoi sinjalin e rrëmbimit në orën 05:38, përpara se të ndryshonte drejtim dhe të largohej nga Tel Avivi. Fluturimi u devijua drejt jugut dhe u ul në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite, në orën 06:58.

Rreth dy orë e gjysmë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, avioni nisi një zbritje të menjëhershme dhe të fortë.

Avioni aktivizoi kodin “7700”, që tregon një “emergjencë të përgjithshme”, përpara se ta ndryshonte në “7500”, kod që sinjalizon “ndërhyrje të paligjshme”, pra një rrëmbim të mundshëm të avionit. Në një intervistë për BBC-në, një prej pasagjerëve përshkroi momentin kur kuptoi se diçka nuk shkonte.

Almog Itali tha: “Papritur avioni nisi të binte, si në një slitë, me një forcë të jashtëzakonshme gravitacionale. Po binte për 20 ose 30 sekonda, shumë shpejt, pastaj u stabilizua dhe më pas filloi sërish të binte.”

Më pas, tha ai, njerëzit nisën të vraponin drejt kabinës së pilotimit. Presidenti izraelit Isaac Herzog deklaroi të enjten se alarmi në bord u dha nga një grua izraelite, Tali Manes, e cila kishte dëgjuar zhurma dhe rrëmujë që vinin nga kabina e pilotimit.

Burri i saj, Zvika, së bashku me tre burra të tjerë — Yaniv Hayun, doktor Shota Musayev dhe Asaf Rajuan — hynë në kabinë pasi komandanti Machchhar arriti ta hapte derën, pavarësisht plagëve të tij.

Hayun tha, në një video të publikuar nga zyra e kryeministrit, se sulmuesi “po përpiqej të shkatërronte instrumentet për ta bërë avionin të paaftë për të fluturuar”.

Hayun më pas tregoi se e kapi sulmuesin në një shtrëngim rreth qafës dhe e tërhoqi jashtë kabinës, ndërsa pasagjerë të tjerë e ndihmuan ta mbanin të immobilizuar. Ai shtoi se “tërhoqi komandat” e avionit. “Avioni filloi të stabilizohej, pak nga pak, dhe më pas një pilot tjetër më tha se do ta merrte ai kontrollin”, rrëfeu Hayun.

Në një intervistë për CNN të mërkurën në mbrëmje, Netanyahu tha se piloti i plagosur, pasagjerët dhe ekuipazhi rezervë “kishin arritur të parandalonin një katastrofë të 11 shtatorit”.

ME TE LEXUARAT