Mbi 11 mijë studentë shqiptarë në BE, Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor

Ambicia për t’u shkolluar i çon mijëra të rinj nga Shqipëria në universitete jashtë vendit.
Në vitin 2024, sipas Eurostat, rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studionin në 32 vende. Italia dhe Gjermania pritën më shumë se gjysmën e tyre, të ndjekura nga Greqia e Turqia.
Ambicia për t’u shkolluar i çon mijëra të rinj nga Shqipëria në universitete jashtë vendit.
Në vitin 2024, sipas Eurostat, rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studionin në 32 vende. Italia dhe Gjermania pritën më shumë se gjysmën e tyre, të ndjekura nga Greqia e Turqia.
Në vitin 2025, numri i doktorantëve nga Shqipëria në Gjermani arriti në 203, rreth 20% më shumë se një vit më parë.
Në Gjermani, një doktorant mund të punësohet si kërkues në një universitet ose institut dhe ta zhvillojë doktoraturën si pjesë të një projekti me pagë e sigurime shoqërore.
Një mundësi tjetër janë bursat, përfshirë ato të DAAD-it. Sipas kësaj organizate, universitetet publike nuk aplikojnë tarifë shkollimi për të paktën gjashtë semestrat e parë të doktoraturës, ndërsa studentët e regjistruar paguajnë një kontribut semestral.
Në shkollën kërkimore të Max Planck për neuroimazherinë, për shembull, shumica e doktorantëve financohen me kontrata që në vitin 2026 parashikojnë rreth 3.400 euro bruto në muaj.
Turqia e treta për master
Turqia ishte destinacioni i tretë për master, pas Italisë dhe Gjermanisë. Nga 1,023 studentë nga Shqipëria që studionin në Turqi në vitin 2024, 270 ndiqnin master, 12% më shumë se në vitin 2022. Në doktoraturë ishin 46 studentë, 31% më pak se në vitin 2022.
Për master, Austria dhe Franca renditeshin menjëherë pas Turqisë, me përkatësisht 255 dhe 253 studentë. Franca ishte destinacioni i tretë për doktoraturë, me 55 doktorantë, pas Gjermanisë dhe Italisë.
Dy në tre studentë në master jashtë vendit janë femra
Femrat përbënin 63% të studentëve nga Shqipëria që ndiqnin arsimin e lartë jashtë vendit në vitin 2024. Nga 11,370 studentë të regjistruar në vendet raportuese të Eurostat-it, 7,203 ishin gra dhe 4,167 burra.
Diferenca ishte më e madhe në master, ku gratë përbënin 67% të studentëve nga Shqipëria, krahasuar me 60% në bachelor. Edhe në doktoraturë, gratë përbënin rreth dy të tretat e të regjistruarve, me 429 doktorante dhe 225 doktorantë.
Në Itali, destinacioni kryesor për master, 72% e studentëve nga Shqipëria në këtë cikël ishin vajza. Në Turqi, pesha e tyre ishte 69%, ndërsa në Gjermani 64%. Edhe në doktoraturat në Gjermani, gratë ishin shumicë, me 105 nga 169 të regjistruarit nga Shqipëria. /Monitor


