Incidentet në stadium, përplasjet gjatë sfidës Partizani-Tirana çojnë 3 veta në hetim, ndiqet nga policia i riu

Sport

Incidentet në stadium, përplasjet gjatë sfidës
Tre persona janë proceduar penalisht dhe një 19-vjeçar është shpallur në kërkim pas masave të sigurisë të ndërmarra nga Policia gjatë derbit të futbollit mes “Partizanit” dhe “KF Tiranës”, që u zhvillua pasditen e djeshme në stadiumin “Air Albania”.

Sipas njoftimit të Policisë, një 25-vjeçar është proceduar penalisht pasi është konfliktuar me një 19-vjeçar pranë stadiumit, para fillimit të ndeshjes.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy të mitur, të cilëve gjatë kontrollit fizik iu gjetën kapsolla dhe flakadanë, të sekuestruar në cilësinë e provës materiale. 

Ndërkohë, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 19-vjeçar, i cili dyshohet se ka hedhur një kapsollë në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Kontrollet dhe monitorimi i lëvizjeve të tifozëve u kryen në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit sportiv.

Materialet procedurale për rastet e konstatuara i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

 

 

ME TE LEXUARAT