I dënuar për rreth 50 vepra penale, shqiptari arrin të bllokojë dëbimin nga Mbretëria e Bashkuar në gjykatën e emigracionit

Bota

I dënuar për rreth 50 vepra penale, shqiptari arrin të

Një 39-vjeçar me origjinë nga Kosova, i dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani, ka arritur të bllokojë dëbimin e tij drejt Kosovës, pasi një gjykatës emigracioni vlerësoi se ai mund të përballej me keqtrajtim për shkak të përkatësisë së tij rome dhe mungesës së dokumenteve që vërtetojnë shtetësinë.

Avdi Alija mbërriti ilegalisht në Britani në moshën 14-vjeçare, pasi udhëtoi i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni në vitin 2002. Sipas gjykatës, gjatë viteve ai krijoi një rekord të gjatë kriminal, me rreth 50 vepra penale, përfshirë vjedhje, grabitje, posedim kokaine dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur ose nën efektin e drogës.

Sipas shkrimit të Daily Mail të cilit i referohet Top Channel, Alija ishte dënuar gjithashtu për përfshirjen në një pengmarrje në vitin 2018. Sipas vendimit gjyqësor, ai ishte pjesë e një grupi që mori me forcë një person, e futi në një makinë nën kërcënimin e thikës dhe më pas e mbajti të izoluar në banesën e Alijas.

Viktima u mbajt peng për rreth katër orë e gjysmë, u dhunua dhe u kërcënua se do të goditej me thikë dhe do t’i hidhej ujë i valë nëse nuk paguante 50 mijë paund. Ai arriti të arratisej duke thyer një dritare dopio-xham dhe duke u hedhur nga kati i dytë.

Gjykata kishte vlerësuar se Alija kishte luajtur një rol të rëndësishëm në pengmarrje, duke lejuar që banesa e tij të përdorej si vend ku viktima mbahej i burgosur. Për këtë ngjarje, ai u dënua me nëntë vite burg për burgosje të paligjshme dhe një vit tjetër për plagosje të rëndë.

Në mars 2022, atëherë ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, urdhëroi dëbimin e tij, duke e konsideruar rrezik për komunitetin. Alija e kundërshtoi vendimin në gjykatë, duke iu referuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Apeli i tij u shqyrtua sërish më 29 shtator nga gjyqtari i emigracionit Ian Boyes, në një kohë kur Alija kishte përfunduar dënimin me burg dhe ishte liruar me kusht.

Gjykata mori në shqyrtim faktin se Alija kishte lindur në Kosovë nga prindër romë, të cilët, sipas dëshmive të paraqitura, u vranë gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998-1999 dhe shtëpia e familjes u shkatërrua.

Gjyqtari vlerësoi gjithashtu se Alija konsiderohej person me rrezik për komunitetin dhe për këtë arsye nuk mund të përfitonte nga mbrojtja e azilit sipas Konventës së Gjenevës.

Megjithatë, gjykata pranoi argumentin se dëbimi i tij drejt Kosovës mund ta ekspozonte ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor ose degradues.

Sipas ekspertit të dëgjuar në gjykatë, për shkak të statusit të tij të pasigurt të shtetësisë dhe përkatësisë rome, Alija do të përballej me rrezik diskriminimi, shfrytëzimi dhe abuzimi nëse do të kthehej në Kosovë.

ME TE LEXUARAT