'Sot ra Yeffet dhe Ard Veliu, tetorin nuk do ta ‘hajë’ dot as Belinda'/ Edison Lika: Rama iku me vrap si frikacak

Aktivisti Edison Lika ka reaguar nga protesta, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet e SPAK për çështjen KAYO, ndërsa ka paralajmëruar intensifikimin e protestave gjatë muajit tetor.
“Sic do të shkojë puna, tetorin nuk do ta hajë as Belinda Balluku”, deklaroi Lika, duke iu referuar zhvillimeve të ditës, ku SPAK ka kryer kontrolle në kuadër të hetimit që lidhet me biznesmenin Ron Yeffet dhe kompaninë shtetërore KAYO. Sipas raportimeve, kontrolle janë kryer edhe në banesën e Ardi Veliut, administrator i KAYO-s, ndërsa atij i është sekuestruar telefoni.
Lika i cilësoi Yeffet dhe Veliun si dy persona të rëndësishëm në atë që ai e quajti “tabela e shahut të Ramës”, duke pretenduar se zhvillimet e sotme përbëjnë një goditje për qeverinë. Ai iu referua gjithashtu të kaluarës së Veliut në krye të Policisë së Shtetit dhe kalimit të tij më pas në drejtimin e KAYO-s.
Aktivisti foli edhe për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe pretendoi se kryeministri Edi Rama është larguar nga zyra pasi protestuesit iu afruan zonës së Kryeministrisë.
“Para pak ditësh Rama guxoi të rrinte në Kryeministri, sot sapo protestuesit kaluan hotel ‘Dajtin’, u largua me vrap. Frikacak!”, tha Lika.
Ai përmendi edhe protesta të tjera të zhvilluara në Tiranë, duke iu referuar tubimeve pranë Ministrisë së Kulturës dhe Kuvendit.
Në vijim, Lika komentoi edhe përplasjen me deputetin socialist Erion Braçe, duke e akuzuar se në legjislaturën e kaluar fliste për Divjakën, ndërsa sot, sipas tij, fokusohet te Njësia 5.
“Sot ka pasur edhe një konflikt me Erion Braçen që në legjislaturën e kaluar fliste për Divjakën, pse nuk flet sot për Divjakën ai? Flet për njësinë 5, ai ka qenë vetëm shërbëtor i Ramës dhe PS.
Kudo t’i shihni Ramën dhe këta deputetë, thuajini që janë maskarenj e hajdutë dhe ndiqini me vezë”, tha ai.


