Depozitat rrezikojnë pallatet e vjetra, bashkia fond për të ndihmuar banorët për t’i larguar nga taracat

Depozitat e ujit në katet e fundit të ndërtesave vijojnë të jenë një problem shqetësues për qytetarët, sidomos për ata të cilët jetojnë në pallate të vjetra të ndërtuar para viteve 1990. Për këtë problem, Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, shprehet se që prej shkurtit të këtij viti, me anë të fondit të komunitetit, do të financohen shumë familje, për t’i mundësuar heqjen e depozitave nga tarracat dhe vendosjen e një depozite të përbashkët për pallatin në sheshpushime tokësore.
“Ne kemi edhe një fond komuniteti, një zë që hyri në fuqi në shkurt 2026 dhe të gjithë ato pallate që janë të interesuar për të hequr depozitat dhe për të vënë një depozitë të përbashkët, Bashkia Tiranë është gati të financojë me 50 % dhe kush është pensionist apo familje me ndihëm ekonomike, rimbursohet 100% nga bashkia. Në momentin që ata kanë një sheshpushimi të lirë, ku nuk pengojnë hyrjen e shkallës, së njerëzve, apo makinave, mund të heqin të gjitha depozitat dhe të vënë një depozitë të përbashkët”, tha Dritan Dango, drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit Bashkia Tiranë.
Për administratorin Isidor Koti, përtej financimit nga Bashkia, qytetarët e pallateve të cilët hasen me këtë problem, duhet të jenë më të angazhuar për të zgjidhur problemet e bashkëpronësisë.
“Ne duhet të kemi të qartë që kjo punë nuk është hall i komshiut, por e jonë së pari, ne duhet ta ndjejmë elementin e bashkëpronësisë si një aneks të shtëpisë, sepse e përbashkëta nuk është një pjesë e huaj. Nuk është çështje mundësie, por edhe çështje mendësie dhe ky është një problem shumë i madh. Vetë banorët duhet ta brendesopjnë problemin dhe ta zgjidhin bashkarisht. Këtu kemi dy probleme, së pari ndërgjegjeësimi i komunitetitit dhe angazhimi i tyre në zgjidhjen e problemeve”, shtoi Isidor Koti, administrator pallatesh.
Dritan Dango shprehet se disa njësi të kryeqytetit kanë treguar interes për këtë program të Bashkisë Tiranë, megjithatë bën thirrje që të gjithë qytetarët të aplikojnë për të përfituar dhe për të zgjidhur problemet e bashkëpronësisë.


