Gjykata e Durrësit tërhiqet nga çështja e Elisabeta Matajt, dosja kalon në GJKKO

Aktualitet

Gjykata e Durrësit tërhiqet nga çështja e Elisabeta
Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, e cila kishte kërkuar informacion mbi ecurinë e hetimeve dymujore, si dhe zëvendësimin e masës së sigurisë.

 Në seancën e sotme, Elisabeta Mataj nuk ishte e pranishme, ndërsa në sallën e gjyqit nuk u paraqit as prokurori Garment Frëngu. Sipas avokatit të Matajt Ilia Ilia, klientja e tij nuk donte të merrte pjesë në seancë, por ai e quajti të paligjshme mungesën e prokurorit në seancë.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, në seancë, mbrojtja deklaroi se kishte marrë dijeni nga mediat për kalimin e çështjes në SPAK, por nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar për regjistrimin e procedimit në këtë institucion. Avokati pretendoi se njoftimi duhej të ishte bërë edhe nga Prokuroria e Durrësit.

Nga ana e tij, gjyqtari bëri me dije se gjykata ishte njoftuar nga prokuroria për shpalljen e moskompetencës, akt që mban datën 28 tetor, dhe se të gjitha aktet e dosjes do t’i kalojnë Gjykatës së Posaçme.

Pasi dëgjoi mbrojtjen e cila kërkoi shtyrje të seancës dhe një masë më të lehtë për Matajn, gjykata vendosi të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes, duke ia kaluar çështjen dhe aktet përkatëse GJKKO-së. Mataj ndodhet në masën e sigurimit arrest në shtëpi, ndërsa është nënë e 6 fëmijëve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion