“Fytyra Ozempik” po tremb përdoruesit e injeksioneve për dobësim, ekspertët zbulojnë pasojat

Përdorimi i injeksioneve për humbjen e peshës po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, por ekspertët tërheqin vëmendjen për efektet që dobësimi i shpejtë mund të ketë në organizëm, veçanërisht në masën muskulore dhe elasticitetin e lëkurës.
Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk, drejtuese e Departamentit të Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Bezmialem Vakif në Stamboll, rekomandon që personat që ndjekin këto trajtime të marrin çdo ditë 1 deri në 1.5 gramë proteina për kilogram të peshës trupore.
Sipas saj, një ushqyerje e pasur me proteina ndihmon në mbrojtjen e masës muskulore gjatë rënies në peshë. Po ashtu, ajo këshillon aktivitet të rregullt fizik, sidomos ushtrime rezistence, si dhe konsumimin e mjaftueshëm të ujit.
Një nga efektet e dukshme të humbjes së shpejtë të kilogramëve është edhe ndryshimi i tipareve të fytyrës, fenomen i njohur si “fytyra Ozempik”. Reduktimi i yndyrës në këtë zonë mund të bëjë që mollëzat të duken të fundosura, të krijohen zgavra poshtë syve dhe rrathë të errët, si dhe të theksohen rrudhat dhe varja e lëkurës në fytyrë e qafë.
Specialistja thekson se injeksionet për dobësim, veçanërisht ato që veprojnë përmes receptorëve GLP-1, nuk duhet të përdoren pa konsultën dhe mbikëqyrjen e mjekut. Para nisjes së trajtimit është i nevojshëm një vlerësim profesional për të përcaktuar nëse janë të përshtatshme për pacientin.
Kucuk paralajmëron gjithashtu kundër marrjes së pakontrolluar të vitaminave dhe suplementeve ushqimore. Pa këshillën e specialistit, ato mund të shkaktojnë reaksione në lëkurë, ndërveprime me medikamente të tjera, si dhe dëmtime të mëlçisë dhe veshkave.
Ndërsa për personat që pas dobësimit të shpejtë vërejnë rrudha apo varje të theksuar të lëkurës, ajo rekomandon konsultën me dermatologun. Në varësi të gjendjes dhe nevojave individuale, mund të merren në konsideratë trajtime estetike si PRP-ja dhe mbushësit dermalë.
Megjithatë, ekspertja nënvizon se procedurat estetike duhet të kryhen vetëm nga mjekë të specializuar, pasi ndërhyrjet nga persona të pakualifikuar mund të sjellin pasoja serioze për shëndetin.


