Enigma e tragjedisë hekurudhore në Spanjë, 31 mbetje trupore pritet të identifikohen

Bota

Enigma e tragjedisë hekurudhore në Spanjë, 31 mbetje trupore
Bilanci i aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë ka arritur në 69 viktima, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, bëri të ditur se mes personave të vrarë dhe të plagosur mund të ketë shtetas nga deri në 27 kombësi të ndryshme.  
 
Sipas të dhënave të autoriteteve, të paktën 70 persona rezultojnë ende të zhdukur. Identifikimi i viktimave po paraqet vështirësi të mëdha, pasi deri më tani shërbimet e emergjencës kanë arritur të konfirmojnë identitetin e vetëm 13 personave.

Ndërkohë, 31 qese me mbetje trupore të pjesshme presin ende të identifikohen, duke e bërë procesin veçanërisht kompleks.

Kryeministri Sanchez deklaroi se autoritetet po bashkëpunojnë ngushtë me ambasadat dhe konsullatat përkatëse, për të identifikuar shtetasit e huaj që mund të jenë prekur nga tragjedia.

Nga 110 personat që u shtruan në spital pas aksidentit, 71 janë larguar pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa 39 të tjerë vijojnë të jenë të shtruar.

Kreu i qeverisë spanjolle pranoi gjithashtu se besimi i qytetarëve te transporti hekurudhor me shpejtësi të lartë, dikur një prej burimeve të krenarisë kombëtare të Spanjës, është tronditur rëndë. Ai u zotua se qeveria do të punojë për rikthimin e besimit dhe për marrjen e masave që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

“Detyra e qeverisë nuk është vetëm të bëjë një diagnozë të situatës, por edhe të ofrojë zgjidhje, në mënyrë që një tragjedi e kësaj përmase të mos ndodhë më kurrë. Dhe pikërisht këtë po bëjmë”, deklaroi Sanchez.

Ndërsa vijojnë operacionet e identifikimit dhe trajtimit të të plagosurve, autoritetet spanjolle po përballen me një prej tragjedive më të rënda hekurudhore, pasojat e së cilës kanë prekur qytetarë të shumë vendeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion