Ecja më shumë nuk përkeqëson dhimbjet e gjurit, zbulimi i ri sfidon frikën nga lëvizja

Një studim i ri japonez sugjeron se rritja e numrit të hapave të përditshëm nuk lidhet domosdoshmërisht me përkeqësimin e mëvonshëm të dhimbjeve të gjurit, duke vënë në pikëpyetje bindjen se personat që vuajnë nga këto shqetësime duhet të kufizojnë ecjen, shkruan mondosanita It.
Studimi, i publikuar më 27 nëntor 2026 në revistën shkencore “Scientific Reports”, u krye nga një grup studiuesish të Institutit Metropolitan të Geriatrisë dhe Gerontologjisë në Tokio. Në të morën pjesë 266 persona mbi moshën 65 vjeç, me një moshë mesatare 74,2 vjeç.
Gjatë kërkimit, pjesëmarrësit u pajisën me përshpejtues në kyçin e këmbës për të regjistruar numrin e hapave, ndërsa përmes një aplikacioni në telefon shënonin intensitetin e dhimbjeve të gjurit. Në total, studiuesit analizuan 1.299 periudha vëzhgimi, secila me shtatë ditë monitorimi dhe një ditë shtesë për të vlerësuar ndryshimet në intensitetin e dhimbjes.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rasteve kur numri i hapave rritej me 30% krahasuar me mesataren personale të secilit pjesëmarrës.
Rezultatet treguan se, megjithëse në dy ditët përpara përkeqësimit të dhimbjeve vihej re një rritje e lehtë e aktivitetit fizik, analiza statistikore nuk konfirmoi një lidhje domethënëse mes ecjes më shumë dhe shtimit të dhimbjeve të gjurit. Ky përfundim mbeti i njëjtë edhe kur pjesëmarrësit u ndanë sipas nivelit të zakonshëm të dhimbjes.
Sipas studiuesve, këto rezultate sugjerojnë se rritja e aktivitetit të përditshëm nuk duhet konsideruar automatikisht si shkak i përkeqësimit të shqetësimeve në gju.
Nga ana tjetër, kufizimi i vazhdueshëm i lëvizjes mund të sjellë pasoja negative, pasi mungesa e aktivitetit fizik dobëson muskujt dhe mund të vështirësojë kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Veçanërisht muskujt e kofshës luajnë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e gjurit dhe kontrollin e lëvizjeve.
Edhe një rishikim i vitit 2024 nga Cochrane Collaboration, që përfshiu 139 studime klinike të randomizuara dhe 12.468 persona me artrozë të gjurit, evidentoi se ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në përmirësimin e dhimbjes dhe funksionimit të kyçit në periudhën afatshkurtër.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar për Ekselencën në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE) në Mbretërinë e Bashkuar rekomandon programe ushtrimesh të përshtatura për nevojat individuale, duke theksuar se shqetësimi fillestar gjatë aktivitetit fizik nuk nënkupton domosdoshmërisht dëmtim të mëtejshëm të gjurit.
Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së aktivitetit fizik dhe shmangies së kufizimit të panevojshëm të lëvizjes, gjithmonë duke respektuar gjendjen shëndetësore dhe këshillat e specialistëve.


