Çfarë po ndodh me liderin kinez Xi Jinping? Ngrihen pikëpyetje mbi shëndetin e tij

Pyetje për shëndetin e liderit kinez Xi Jinping u ngritën pas kërkesave të pazakonta që zyrtarët e Pekinit u parashtruan homologëve të tyre amerikanë gjatë vizitës së tij në Uashington javën e kaluar, ku ai u takua me Donald Trumpin.
Ajo që kërkuan bashkëpunëtorët e afërt të presidentit 73-vjeçar ishte që të merreshin masa të veçanta në mënyrë që ai të kishte kohë të mjaftueshme për pushim gjatë samitit me Trumpin. Në këtë kuadër, kërkesa kryesore ishte që Xi-t t’i vihej në dispozicion një dhomë private brenda Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, ku ai mund të tërhiqej dhe të pushonte ndërmjet aktiviteteve.
Sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, vetëm bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, kishte të drejtë ta shoqëronte. Asnjë anëtar tjetër i delegacionit kinez nuk lejohej ta përdorte atë dhomë – madje as Cai Qi, shefi i kabinetit të Xi-t.
Pa drekë pune, një pauzë pesëorëshe për pushim
Vëmendje tërhoqi gjithashtu fakti se, rreth një muaj para udhëtimit, ekipi përgatitor i presidentit kinez refuzoi propozimin për një drekë pune mes Xi-t dhe Trumpit më 24 shtator, e vetmja ditë e plotë e samitit, sipas të njëjtave burime.
Në një rast të ngjashëm, kur Trump kishte vizituar Pekinin në maj, të dy liderët kishin drekuar së bashku në kompleksin e udhëheqjes kineze, Zhongnanhai.
Informacioni kryesor që zyrtarët kinezë u kishin dhënë homologëve amerikanë ishte se preferonin të parashikohej më shumë kohë për pushimin e Xi-t gjatë vizitës së tij në Uashington. Si rezultat, në programin e samitit u krijua një boshllëk prej rreth pesë orësh – një periudhë jashtëzakonisht e gjatë pa aktivitete për një vizitë që zgjati vetëm dy ditë.
Për më tepër, delegacioni kinez nuk kishte planifikuar asnjë aktivitet për Xi-n në mbrëmjen e mbërritjes së tij, ndërsa ditën e fundit të vizitës, më 25 shtator, presidenti kinez qëndroi rreth dhjetë minuta në Arkivat Kombëtare të SHBA-së, shumë më pak nga sa kishin parashikuar zyrtarët amerikanë. Ata besonin se aty do të kishte mundësi të fliste sërish me Trumpin për Tajvanin.
Megjithatë, është fakt se Xi kishte kryer një fluturim rreth 14-orësh nga Pekini dhe diferenca kohore mund të shpjegonte vetvetiu disa prej ndryshimeve në program, veçanërisht mbrëmjen e mbërritjes.
Gjithashtu, kur Trumpi – sot 80 vjeç – kishte qenë në Pekin për një samit më herët gjatë vitit, ekipi i tij kishte parashikuar gjithashtu periudha pa aktivitete zyrtare gjatë dy ditëve. Sipas regjistrit zyrtar të aktiviteteve presidenciale, presidenti amerikan e shfrytëzoi një pjesë të kësaj kohe për intervista për Fox News.
Planifikim i rreptë edhe për pjesëmarrjen në ceremonitë zyrtare
Gjatë qëndrimit në Uashington, Xi u prit me të gjitha nderimet e një vizite zyrtare shtetërore: 21 të shtëna topi, kalim të avionëve luftarakë amerikanë dhe të një bombarduesi stealth, si dhe një statujë të madhe shqiponje si dhuratë.
Megjithatë, pas ceremonive, ekipi i tij kishte hartuar programin duke marrë parasysh se sa gjatë mund të qëndronte në këmbë, sa larg mund të ecte dhe kur do të kishte nevojë për pushim, sipas personave që ishin në dijeni të përgatitjeve.
Dennis Wilder, ish-drejtor i lartë për çështjet e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili kishte organizuar tre vizita shtetërore gjatë presidencës së George W. Bushit, e cilësoi të paprecedentë vënien në dispozicion të Xi-t të një hapësire të posaçme vetëm për pushim.
Siç tha ai për WSJ, gjatë përgatitjes së vizitave të kryeministrit japonez Junichiro Koizumi, kryeministrit australian John Howard dhe paraardhësit të Xi-t, Hu Jintao, “nuk kishim bërë kurrë diçka të tillë. Është e pazakontë.”
Pyetjet nuk kanë nisur vetëm tani
Pyetjet rreth gjendjes shëndetësore të Xi-t nuk janë të reja. Diskutime të ngjashme nisën pas turneut të tij në Evropë në vitin 2019, kur në disa video ai dukej se ecte me një vështirësi të lehtë dhe përdorte krahët e një karrigeje për t’u mbështetur.
Më shumë se gjashtë vjet më vonë, Xi vazhdon të jetë në mënyrë të qëndrueshme në krye të Kinës. Ai ka përqendruar në duart e tij më shumë pushtet se çdo lider tjetër kinez që nga Mao Ce Duni dhe deri më sot nuk ka caktuar një pasardhës.
Kina, në thelb, nuk ka një procedurë të institucionalizuar për zgjedhjen e personit që do të marrë tre postet kyçe që Xi mban aktualisht: sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste, president i vendit dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.
Gjatë vizitës së tij në Uashington, lëvizjet e kujdesshme të Xi-t ishin të dukshme edhe në pamjet televizive të papërpunuara. Në një prej tyre, ndërsa zbriste shkallët e avionit të tij në bazën ajrore Andrews, Xi mbante me njërën dorë bashkëshorten e tij, Peng, ndërsa me dorën tjetër mbahej te parmakët.
Dy ditë më vonë, ndërsa ngjitej në shkallët e Arkivave Kombëtare së bashku me Trumpin dhe Melania Trump, çifti sërish u mbajt për dore gjatë gjithë ngjitjes. Madje, Xi dukej se mbështetej fizikisht te bashkëshortja e tij dhe jo thjesht se i mbante dorën.
Mediat shtetërore kineze i hoqën këto momente nga mbulimi i vizitës në programet me audiencën më të madhe. Duhet megjithatë të theksohet se Xi e mban prej vitesh për dore Pengun gjatë paraqitjeve zyrtare, një veprim i pazakontë për një lider kinez, të cilin mediat shtetërore e kanë paraqitur shpesh si shenjë të marrëdhënies së ngushtë mes çiftit.
Nuk mori pjesë në darkën e BRICS-it me Putinin sepse “nuk ishte mirë”
Edhe para vizitës në Uashington, diskutimet për gjendjen shëndetësore të Xi-t ishin intensifikuar. Në samitin e BRICS-it në Indi, më herët në shtator, presidenti kinez nuk mori pjesë në një darkë zyrtare ku ishin të pranishëm presidenti rus Vladimir Putin dhe liderë të tjerë. Sipas Wall Street Journal, arsyeja ishte se nuk ndihej mirë.
Sipas Wilderit, i cili sot është profesor i Studimeve Aziatike në Universitetin Georgetown, ajo që binte gjithashtu në sy ishte kohëzgjatja e kufizuar e programit mes Trumpit dhe Xi-t.
Takimi dypalësh i dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator filloi pak para mesditës dhe përfundoi në orët e para të pasdites. Më pas Xi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe nuk u kthye deri në darkën zyrtare shtetërore po atë mbrëmje, ku morën pjesë edhe drejtues të kompanive të mëdha amerikane, ndër ta CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, dhe kreu i Teslës, Elon Musk.
“Është një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për një samit të këtij niveli,” komentoi Wilder, duke iu referuar kohës së kufizuar të kushtuar bisedimeve substanciale mes liderëve të dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sekret shtetëror dhe çështja e pasardhësit
Shëndeti i liderëve më të lartë të Kinës tradicionalisht trajtohet si një prej sekreteve shtetërore më të ruajtura. Kjo praktikë lidhet me bindjen e Partisë Komuniste se çdo shenjë dobësie në majë të pushtetit mund të shkaktojë sfida të brendshme partiake ose të destabilizojë kontrollin mbi pushtetin.
Analistët që specializohen në udhëheqjen kineze theksojnë, megjithatë, se nuk shohin në paraqitjet publike të Xi-t shenja të dobësimit të aftësive njohëse.
“Ekziston një dallim i madh midis një lideri që nuk është më në gjendje të funksionojë plotësisht, për shembull për shkak të një goditjeje të rëndë në tru, dhe një lideri që ka kufizime fizike, por ruan të paprekura aftësitë e tij mendore,” tha Minxin Pei, profesor i Shkencave Politike në Claremont McKenna College dhe specialist i politikës së elitave kineze.
Në rastin e parë, shpjegoi ai, partia do të detyrohej të gjente shpejt një pasardhës. Në rastin e dytë, thjesht mund të priste, ndërsa nuk do të kishte gjasa të ndodhnin ndryshime të rëndësishme në politikë, siç kishte ndodhur edhe në vitet e fundit të Maos, para vdekjes së tij në moshën 82-vjeçare.
Megjithatë, edhe çështja e pasardhësit përmban rreziqe që shkojnë përtej kufijve të Kinës. Sipas Peit, një rivalitet i mundshëm midis individëve ose fraksioneve që do të synonin të pasonin Xi-n mund të çonte disa palë drejt mbështetjes së politikave më agresive, me qëllim që të fitonin avantazh në një betejë të brendshme për pushtet.


