Brezi Z kërkon që Mijëvjeçarët të dalin në pension, por ata nuk janë arsyeja pse nuk gjejnë punë

Bota

Brezi Z kërkon që Mijëvjeçarët të dalin në

Të rinjtë e Brezit Z po u kërkojnë Mijëvjeçarëve të dalin në pension për t’u hapur rrugën në tregun e punës. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vështirësitë e punësimit lidhen më shumë me pakësimin e vendeve të punës për fillestarët dhe ndryshimet në proceset e rekrutimit.

Brezi Z, që përfshin të lindurit mes viteve 1997 dhe 2014, po hyn gradualisht në tregun e punës. Disa prej tyre kanë nisur të kërkojnë në rrjetet sociale që Mijëvjeçarët, të lindurit mes viteve 1981 dhe 1996, të tërhiqen nga puna.

“Duhet të dilni në pension që të hapen disa vende pune për ne”, u ankua një përdorues i TikTok në një video virale, tashmë të fshirë. “Na kritikoni që pranojmë punë me paga të ulëta në restorante fast-food, por Mijëvjeçarët po mbajnë të gjitha vendet e punës për të cilat kemi studiuar”.

Edhe përdorues të tjerë kanë shprehur të njëjtin shqetësim. “Si mund të ngjitet Brezi Z në hierarkinë e korporatave nëse brezat më të vjetër dhe Mijëvjeçarët nuk dalin në pension?”, pyeti një tjetër krijues përmbajtjeje në TikTok.

Sipas Departamentit Amerikan të Punës, Mijëvjeçarët përbëjnë rreth 35% të forcës së punës në SHBA, duke qenë grupmosha me peshën më të madhe në tregun e punës.

Por Mijëvjeçarët kundërshtojnë akuzat. “Mendoni se ne nuk duam të dalim në pension? Mezi përballojmë shpenzimet për bimët dhe kafshët tona shtëpiake”, ironizoi krijuesi i njohur i përmbajtjes Brian Moller, duke theksuar vështirësitë financiare të brezit të tij.

Tensionet mes brezave

Sipas një raporti të McKinsey Quarterly, Brezi Z pritet të përbëjë 30% të të gjithë të punësuarve deri në vitin 2030, nga 18% që ishte pesha e tij në vitin 2024, sipas Departamentit Amerikan të Punës.

Kjo nënkupton se Brezi Z dhe Mijëvjeçarët do të dominojnë tregun e punës, ndërsa anëtarët e Brezit X, të lindur mes viteve 1965 dhe 1980, do të fillojnë gradualisht të dalin në pension. Në SHBA, mosha e plotë e pensionit për sigurimet shoqërore është përgjithësisht 67 vjeç.

Megjithatë, për të rinjtë e Brezit Z, edhe nisja e karrierës po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Sipas një raporti të BambooHR, vendet e punës për fillestarët kanë rënë ndjeshëm në SHBA. Pozicionet e nivelit të ulët janë pakësuar me 35% që nga viti 2023.

Punëdhënësit po reduktojnë rekrutimet për pozicionet fillestare, po përdorin mjete të inteligjencës artificiale për përzgjedhjen e kandidatëve dhe po shqyrtojnë një numër më të madh aplikimesh.

Një sondazh i General Assembly zbuloi se mbi një e katërta e drejtuesve të kompanive nuk do ta konsideronin punësimin e një të diplomuari të sapodalë nga universiteti, pasi mendojnë se kandidatët pa përvojë nuk kanë njohuritë e mjaftueshme për të përmbushur detyrat e pozicionit. / INC

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion