Zelandë e Re në kaos nga reshjet/ Rrugët nën ujë, gjendje emergjence

Reshje të dendura shiu kanë goditur Zelandën e Re, duke shkaktuar përmbytje të gjera dhe detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës në disa zona, përfshirë kryeqytetin Wellington.
Sipas shërbimeve meteorologjike, në disa rajone janë regjistruar reshje ekstreme deri në 77 milimetra brenda më pak se një ore, duke përmbytur rrugë, lagje të tëra dhe duke paralizuar qarkullimin.
Pamjet nga terreni tregojnë makina të bllokuara nga uji, rrugë të dëmtuara dhe rrëshqitje dheu që kanë izoluar disa zona banimi. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e rrezikshme dhe mund të përkeqësohet në orët në vijim.
Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme, ndërsa janë raportuar anulime fluturimesh dhe pezullim i mësimit në disa shkolla.
Dhjetëra persona janë evakuuar nga zonat më të prekura, ndërsa një burrë rreth 60 vjeç rezulton i zhdukur.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas goditjes së vendit nga cikloni Cyclone Vaianu, i cili ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen në disa rajone.
Autoritetet dhe ekspertët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike globale.