Vihet në punë centrali i parë bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe

Centrali i parë bërthamor i Emirateve të Bashkuara Arabe të martën i filloi operacionet e para komerciale, njoftuan udhëheqësit shtetërorë në rrjetet sociale.
Centrali bërthamor “Barakah” në Abu Dhabi është qendra e parë bërthamore në botën arabe dhe pjesë e përpjekjeve të prodhuesit të madh të naftës për t’i bërë më të llojllojshme burimet e energjisë.
“Megavati i parë nga centrali i parë bërthamor arab ka hyrë në rrjetin kombëtar të energjisë”, shkroi në Twitter nënpresidenti Sheikh Mohammed bin Rashid al-Maktoumm.
Princi i Abu Dabit, i cili de fakto është udhëheqës i shtetit, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, tha se ky është një moment historik për Emiratet e Bashkuara, që këtë vit e shënojnë 50-vjetorin e themelimit, shkruan Reuters.
Ndërtimi i këtij centrali është ballafaquar me vonesa. Njësia e Parë e mori lejen operuese nga rregullatori bërthamor vitin e kaluar, tre vjet më vonë sesa ishte planifikuar.
Në gusht të vitit të kaluar, Njësia e Parë u lidh në rrjetin kombëtar të energjisë, ndërsa në dhjetor e arriti 100 për qind të kapacitetit të prodhimit gjatë testimit.
Kur të përfundojë plotësisht ndërtimi i këtij centrali, ai do të ketë katër reaktorë që do të prodhojnë 5.600 megavatë energji elektrike, shifër që mbulon 25 për qind të kërkesës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
محطة تاريخية دخلتها دولة الامارات اليوم ... جهد 10 أعوام .. و 2000 مهندس وشاب إماراتي .. و 80 شريك دولي .. ورؤية قائد أدخل الإمارات مرحلة تنموية غير مسبوقة .. أول ميجاوات من أول محطة نووية عربية يدخل شبكتنا الكهربائية.. مبروك شعب الامارات .. مبروك لأخي محمد بن زايد .. pic.twitter.com/iCrT2kHj6C
— HH Sheikh Mohammed (@HHShkMohd) April 6, 2021


