VIDEO/ Mrekulli në Brazil, përfundoi nën rrotat e kamionit, 12-vjeçari ngrihet me këmbët e tij

Një djalë 12-vjeçar i shpëtoi për mrekulli vdekjes pasi u tërhoq poshtë rrotave të një kamioni të madh në qytetin Firminópolis, në Brazilin qendror. Ngjarja ndodhi teksa ai po kthehej nga shkolla me biçikletën, kur xhaketa e tij u kap në kamionin që po kalonte.
Pamjet filmike tregojnë momentin tronditës kur i mituri tërhiqet për disa metra nën kamion, ndërsa biçikleta hidhet mënjanë. Megjithatë, ai arriti të ngrihej në këmbë menjëherë pas aksidentit, duke habitur të gjithë të pranishmit.
Punonjës të një farmacie pranë vendit të ngjarjes i dhanë ndihmën e parë, ndërsa mjekët bënë të ditur se 12-vjeçari pësoi një frakturë në kyçin e dorës së majtë dhe disa gërvishtje në bërryl. Ai u dërgua në spital, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Shoferi i kamionit nuk u ndal në vendngjarje, por më vonë deklaroi se nuk e kishte kuptuar se kishte përplasur dikë, pasi fëmija ndodhej në pikën e verbër të mjetit. Ai kontaktoi policinë, kërkoi të lidhej me familjen e të miturit dhe u ofrua të mbulojë shpenzimet e trajtimit mjekësor.