U mbyll me urdhër të Trump, VOA mund të rinisë punën nga java e ardhshme

Bota

U mbyll me urdhër të Trump, VOA mund të rinisë punën

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka informuar Zërin e Amerikës (VOA) se stafi i tij mund të rinisë transmetimin e programeve javën e ardhshme, pasi transmetuesi u mbyll në mars nga administrata e presidentit Donald Trump, tha një organizatë joqeveritare për lirinë e medias dhe një punonjës i VOA.

VOA, që është transmetues i financuar nga shteti amerikan, ka audiencë ndërkombëtare dhe është mbyllur që kur Trump urdhëroi Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyrë VOA dhe transmetues të tjerë – përfshirë Radion Evropa e Lirë –dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të ulnin në minimumin e kërkuar nga ligji punën e tyre.

“Një avokat i Departamentit të Drejtësisë i ka dërguar një email avokatit tonë, David Seide, për ta informuar që USAGM pret që stafi i VOA të mund të nisë ‘rikthimin me faza’ në punë dhe transmetimi të rinisë javën e ardhshme”, tha gazetari i VOA, Steve Herman në një postim në X.

Ndërkaq, më 3 maj edhe dy punëtorë të VOA thanë se emailet e punës, që u ishin bllokuar, tani janë zhbllokuar edhe pse ende nuk kanë pranuar një njoftim zyrtar që u thotë se mund të kthehen në punë. Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij tha se avokatët e tyre, së bashku me ata të Zërit të Amerikës, ishin njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë se punëtorët e transmetuesit do të lejohen që të kthehen në punë.

“E kemi kuptuar që më herët gjatë ditës, USAGM ka aktivizuar llogaritë e 1.406 punëtorëve të USAGM-it dhe Zërit të Amerikës dhe bashkëpunëtorëve”, thuhet në emailin e dërguar nga Departamenti i Drejtësisë, sipas Reporterëve pa Kufij.

“USAGM aktualisht pret që stafi të nisë kthimin në zyra javën e ardhshme, teksa çështjet e sigurisë, hapësira e ndërtesës dhe pajisjet kërkojnë një kthim në faza”, u tha në email, ku u shtua se “USAGM pret që programet e Zërit të Amerikës të rifillojnë javën e ardhshme”.

Më 21 mars, VOA ngriti padi ndaj administratës Trump, duke argumentuar se lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit ishin të paligjshme. Më pas, USAGM dërgoi në pushim më shumë se 1.000 punonjës dhe ndërpreu kontratat me rreth 600 bashkëpunëtorë, duke e detyruar VOA, që për herë të parë që nga themelimi më 1942, të ndalë transmetimin.

Padi ndaj USAGM ka ngritur edhe Radio Evropa e Lirë, për të “shmangur dëmin e pariparueshëm” ndaj transmetuesit për shkak të mbajtjes pezull të grantit – të miratuar nga Kongresi – si pjesë e përpjekjeve të USAGM-it për të ndërprerë financimin e REL-it. Më 2 maj, Gjykata e Apelit në SHBA lëshoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të vendimeve paraprake gjyqësore dhe duke lejuar administratën Trump që përkohësisht të ndalë financimin për REL-in dhe transmetuesit e tjerë.

Ky vendim, sipas gjykatësve të Apelit, u mor në mënyrë që të ketë mundësi të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të USAGM. Vendimi i Apelit erdhi disa ditë pasi një gjykatës federal urdhëroi USAGM-in t'i lëshojë REL-it fondet për muajin prill.

USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion